Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka prezantuar kandidatët e PS-së për deputetë në qarkun e Tiranës.
Në videon përshkruese në faqen zyrtare në “Facebook”, z. Rama shkruan se PS-ja synon të marrë 20 deputetë në qarkun e Tiranës, nga 36 që ka gjithsej.
Sipas z. Rama, Partia Socialiste është krijuar dhe rritur për të bërë gjëra të mëdha, ndërkohë shtoi se ekipi i mazhorancës është ekipi i duhur për qeverisjen e vendit.
“Në vrapim drejt 25 prillit për 20 deputetë”, shkruan Rama.
“Skuadra është në lartësinë e pritshmërive të publikut. PS është krijuar dhe rritur për të bërë gjërat më të vështira. Skuadra jonë është kombinim eksperiencash, por edhe i energjive të reja që vijnë nga gra dhe vajza, djem dhe burra, që i janë bashkuar kësaj ndeshje më 25 prill”, tha ai.
Duke folur para kandidatëve për deputetë, shefi i mazhoracës parashtroi argumentet se pse u kërkon shqiptarëve mandatin e tretë më 25 prill.
“Ne kemi kapacitete qeverisëse të plota dhe të shtuara në të gjithë këtë periudhë kohe, ku kemi drejtuar vendin prej shtatë vitesh e kusur dhe kërkojmë një mandat të tretë, që i duhet vendit për të bërë përfundimisht të pakthyeshëm çdo proces transformimi dhe për të mos përsëritur të shkuarën”, u shpreh Rama.