17-vjeçari plagoset me thikë jashtë picerisë në Durrës

Një konflikt për motive të dobëta mes një 30-vjeçari dhe një adoleshenti 17-vjeçar, çoi në plagosjen e këtij të fundit këtë të shtunë në Durrës. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi gjatë orëve të pasdites në lagjen nr. 13, jashtë ambienteve të një picerie.

17-vjeçari i cili mbeti i plagosur u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia arrestoi autorin e dyshuar të ngjarjes dhe thotë se po punon për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj plagosjeje.

“Pasditen e sotme, në lagjen nr. 13, dyshohet se për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet shtetasit B. M., 30 vjeç dhe një 17-vjeçari, në ambientet e jashtme të një picerie, shtetasi B. M. ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), 17-vjeçarin, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh kanë mbërritur në vendngjarje, kanë kapur shtetasin B. M. dhe e kanë shoqëruar atë, në ambientet e Stacionit të Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit, për kryerjen e hetimeve të mëtejshme“, thuhet në një njoftim të policisë së Durrësit.

Të Fundit