Sot bëhen plot 145 vjet nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Lidhja e Prizrenit ishte një organizim politik i parisë së katër vilajeteve që ishin shumicë shqiptare në Perandorinë Osmane.
Ajo u themelua zyrtarisht më 10 Qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, qytet ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.
Traktatet e Shën Stefanit dhe Berlinit u kishin caktuar territore të banuara edhe nga shqiptarë shteteve të tjera pas Luftës Ruso-Turke dhe për këtë arsye shqiptarët u përgatitën për rezistencë kombëtare.
Në Prizren pritet që ditën e sotme të ketë aktivitete të shumta, të cilat kryetari i komunës së këtij qyteti, Shaqir Totaj, i bëri me dije gjatë një interviste në emisionin “Opinion” javën që po lemë pas.
Siç shkruajnë mediat në Kosovë, mësohet se kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në tribunën e shënimit të kësaj dite në Prizren dhe në manifestimin qendror të 145-vjetorit të kësaj Lidhjeje dhe të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës, në oborrin e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në përmbyllje të shënimit të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare, Kurti do të bëjë homazhe në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.