Shën Valentini festohet çdo vit me datën 14 shkurt. Është dita kur njerëzit ia shfaqin dashurinë një personi tjetër përmes dhuratave të ndryshme, duke përfshirë dërgimin e kartolinave, luleve apo çokollatave.
Por, kush ka qenë Shën Valentini?
Kjo ditë ka marrë emrin nga një shenjtor i famshëm, por ka shumë histori sa i përket asaj se kush ishte ai.
Derisa disa njerëz besojnë se historia e kësaj dite është mjaft e qartë, realiteti është se historia pas Ditës së Shën Valentinit është e mbuluar me një mister të madh.
Tradita e përshëndet 14 shkurtin (dhe ndoshta edhe të gjithë muajin shkurt!) si një kohë për dashuri dhe romancë, me prejardhje të lashtë romake dhe të krishterë.
Dita e Shën Valentinit nuk filloi të festohej si një ditë romantike deri në shekullin e 14-të.
Megjithëse kishte disa martirë të krishterë të quajtur Shën Valentini, dita mund ta ketë marrë emrin nga një prift që u martirizua rreth vitit 270 të erës sonë nga perandori Klaudi II Gotik.
Sipas legjendës, prifti nënshkroi një letër “nga Shën Valentini juaj” për vajzën e rojtarit të tij, me të cilën ai ishte miqësuar dhe e kishte shëruar nga verbëria.
Tregime të tjera thonë se ishte Shën Valentini i Ternit, një peshkop, për të cilin u emërua festa, megjithëse është e mundur që dy shenjtorët të ishin në të vërtetë një person.
Një tjetër legjendë e zakonshme thotë se Shën Valentini kundërshtoi urdhrat e perandorit dhe martoi fshehurazi çiftet për të kursyer burrat nga lufta.