12 mijë testime të shpejta, ulet numri i infektimeve

24 orët e fundit, 389 persona janë diagnostikuar me COVID-19, një shifër kjo e ulët në krahasim me javët e para të dhjetorit.

Masat në fuqi dhe testet e shpejta, të cilat kanë kapërcyer shifrën mbi 12 mijë, duket se kanë ndikuar në uljen e numrit të infeksioneve.

389 raste të reja me COVID-19 për 24 orë, tregojnë se dita-ditës numri i infektimeve po shënon rënie, sikundër edhe numri i pacientëve të shtruar në spitale.

Sipas Ministrisë, aktualisht po marrin trajtim mjekësor 344 pacientë, 19 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Masat në fuqi shihen si faktor për uljen e numrit, sikundër edhe strategjia e testimeve të shpejta përmes referencës nga mjeku i familjes, të cilat sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kanë mbërritur në 12 mijë.
“Vetëm ditën e djeshme me hapjen e gjashtë pikave janë më shumë se 300 testime të kryera, ndërkohë që prej fillimit të testimit të shpejtë janë më shumë se 12 mijë teste të shpejta të antigenit që janë kryer,” – u shpreh Manastirliu.

Ministrja ndoqi nga afër aplikimin e testimit të shpejtë në komunitet në qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, ku njoftoi edhe zgjerimin e pikave të reja, edhe në rrethe.

Testimi i shpejtë ka filluar në gjashtë pika në Tiranë, ndërsa me referimin e mjekut të familjes, ai kryhet në fashat orare nga ora 10:00-16:00, nga e hëna në të shtunë.

Të Fundit