Emigrantët që mbërrijnë në Britani përmes kanalit me Francën do të gjurmohen në kohë rekord dhe do të dërgohen në një azil në Shqipëri, raportojnë mediat britanike.
Megjithëse këto pretendime janë mohuar nga autoritet më herët, mediat britanike shkruajnë se ministrat e dy vendeve po diskutojnë për hapjen e një qendre azili në Shqipëri, duke besuar se kjo do të veprojë si një pengesë për emigrantët që kalojnë kanalin francez.
Kushdo që kërkon azil në Britani duke mbërritur në rrugë të paligjshme, si me gomone dhe varka të vogla, do të dërgohet në qendrën e azilit në Shqipëri brenda shtatë ditëve, shkruan The Times.
Sipas këtij projekti qeveria britanike do të paguajë 100,000 £ për emigrant për fluturimin dhe akomodimin.
“Qendrat e azilit jashtë vendit tonë janë mundësia jonë më e mirë, pasi asgjë tjetër nuk po funksionon”, tha një ministër i paidentifikuar për gazetën.
Gjasat për të nënshkruar një marrëveshje me Tiranën tani ‘duken të mira’, tha një burim i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht se ministrja e jashtme shqiptare Olta Xhaçka e përgënjeshtroi idenë muajin e kaluar.
Zhvillimi i fundit në krizën e emigrantëve vjen pasi Sekretarja e Brendshme Priti Patel u zotua në fillim të kësaj jave të ndalonte ‘100 për qind’ kalimet nga Kanali Francez.
Por pretendimi i saj se kishte rënë dakord për planin me homologun francez Gerald Darmanin u kundërshtua më pas nga Parisi ditën e djeshme.
Në përgjigje të lajmeve në lidhje me planin për hapjen e një qendre azili në Shqipëri, një zëdhënës i Home Office tha: ‘Emigrantët që bëjnë këto kalime të rrezikshme, po vënë jetën e tyre në rrezik dhe është jetike që ne të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i parandaluar ata dhe për të thyer modelin e biznesit të bandave kriminale që shfrytëzojnë njerëzit.
Njerëzit duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të sigurt në të cilin mbërrijnë, dhe si pjesë e përgjigjes sonë është e rëndësishme që ne të kemi një parandalues detar në kanal dhe të punojmë me partnerët ndërkombëtarë për t’i dhënë fund këtyre udhëtimeve të rrezikshme.”
Kur planet u raportuan për herë të parë nga The Sun muajin e kaluar, zëdhënësi zyrtar i kryeministrit shqiptar Edi Rama i cilësoi raportet si ‘absolutisht të pavërteta’.
Lajmi vjen pasi u sugjerua në mars se azilkërkuesit që kalojnë Kanalin ilegalisht për të arritur në Britani mund të dërgohen në një vend të tretë si Turqia.
Opsione të tjera në tryezë ishin ishujt në brigjet e Skocisë, Ishulli Man ose Gjibraltari.