1 në 10 vajza në Shqipëri martohen para moshës 18 vjeç

Martesat në moshë të hershme janë një fenomen negativ i cili po shënon rritje në Shqipëri.

Emira Shkurti, Specialiste për Programin e Drejtësisë për të Miturit në UNICEF, tha se Shqipëria ka bërë hapa mbrapa në frenimin e martesave të hershme.

“Nga 2008-a në 2018-ën në vend që të kishte pasur përmirësim situata ka patur përkeqësim. Nga 9% e vajzave, 11% e vajzave janë të prekura nga martesa e hershme. Si ta ketë arritur vajza ose jo pjekurinë seksuale, ajo nuk e ka pjekurinë mendore për të shprehur pëlqim. Edhe sikur ta shprehë këtë pëlqim, ai konsiderohet 0 në sytë e ligjit.”

Sipas Shkurtit fenomeni është i përhapur kryesisht në zonat rurale dhe familjet e varfra.

“Komunitetet që janë të izoluara nga qytetet, në zona fshatare, malore, të varfra dhe nga ana tjetër në komunitetet rome dhe egjiptiane. Duhet bërë një punë jashtëzakonisht e madhe. Forca e ligjit, vëmendja e institucioneve, por edhe ndërhyrja në këtë mendësi që po i zhvesh vajzat nga fëmijëria.”

Shumica bëjnë martesë jo të ligjshme dhe në rastet kur e mitura mund të sjellë fëmijë në jetë, hasen dhe probleme me regjistrimin e foshnjave.

“Legjislacioni shqiptar parashikon që vetëm personat që kanë mbushur moshën 18 vjeçare mund të lidhin martesë. Nga ana tjetër vetë ky legjislacion ka krijuar një lloj hapësire që përdoret nga njerëzit. Edhe pa mbushur moshën, për shkaqe me rëndësi, gjykata mund të jape leje për lidhjen e martesës nën moshë. Gjykatat kanë filluar dhe e kanë ulur dhënien e këtij autorizimi, aq sa në vitin 2022 nuk ka asnjë martesë të regjistruar, formalisht të regjistruar të fëmijëve. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur martesa de facto. Shpesh herë kur vajzat bëhen nëna, ndërkohë nuk kanë mbushur moshën, i merr përsipër vjehrra. Kjo vajza nënë humbet ato të drejta dhe përgjegjësi prindërore ndaj fëmijës së vet.”

Psikologia Lediona Asabella thotë se një vajzë që martohet herët kalon në drama të rënda psiko- emocionale.

“Abuzimi i saj do rëndohet, psikologjikisht edhe seksualisht. Sepse të hyrit në një martesë do ketë edhe marrëdhënie seksuale të cilat në këtë rast nuk ke dhe si i deklaron. Vajza shumë shpejt do ketë probleme me ankthin, stresin, si të menaxhojë punët e shtëpisë. Nuk ma merr mendja që mentalitete që mbarojnë në këtë pikë e lënë vajzën të shkollohet, të ndjekë studimet e larta e më tutje që ajo të fuqizohet dhe të bëhet e zonja e vetes.”

Pak ditë më parë u bë publik rasti i martesës së 14-vjeçareje me një 34 vjeçar në një fshat në Divjakës, edhe martesa e tyre ishte paligjshme, ndërkohë që 34-vjeçari është në arrest për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të mitur.

Martesat e hershme janë ngritur si problem dhe nga Komiteti i Konventës për të Drejtat e Fëmijes (KDF), e nxit Shqipërinë që të heqë të gjitha ato përjashtime ligjore që ende lejojnë martesën e fëmijeve pa mbushur moshën 18 vjeç. Martesat nën moshë Shqipërisë i doli edhe nga raporti i screening nga Bashkimi Evropian.

Të Fundit