Zhanina Dapi, thellohet skandali i drejtoreshës, që të hedh në rrugë 3 korrik 2018

Pak ditë më parë “Stop” transmetoi rastin e abuzimit të drejtoreshës së Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve numër 2, Zhanina Dapi.

Zonja Dapi, pa asnjë argument ligjor, hoqi nga puna specialisten e auditit, Elisabeta Gjoka. Por duket se Gjoka nuk është e vetmja e hedhur në rrugë pa motivacion. Edhe 4 punonjës të tjerë denoncojnë në “Stop” arbitraritetin e drejtoreshës.

Aranit Hasanbelliu, ish-kryetar i degës së hotelerisë, Marjeta Neziri, ish-punonjëse e terreneve sportive, Ervis Qose, ish-përgjegjës Sektori i Gjelbërimit dhe Vera Ismaili, ish-punonjëse e lavanterisë thonë se janë hequr nga puna pa motivacion, edhe pse i plotësojnë të gjitha kriteret ligjore.

Janë katër ish-punonjës pas denoncueses së parë që kanë ikur nga puna, me motivacione më absurde.

Arbirtrariteti i drejtueses së Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve numër 2, Zhanina Dapi nuk përfundon me kaq, përsa u përket shkarkimeve pa motivacion, sepse specialistja e auditit Elisabeta Gjoka nuk ishte e vetmja.

Aranit Hasanbelliu: Me datën 13 Shkurt 2018 kam kryer detyrën si kryetar i degës së hotelerisë pranë kësaj ndërmarrjeje që prej 7 vitesh. Është fyese dhe diskriminuese. Në vendim thuhet: Nuk plotëson arsimin përkatës. Se di për çfarë arsimi e ka fjalën zonja. Disponoj jo një, por dy diploma të nivelit bachellor. Pozicioni i punës për këtë detyrë shprehet qartazi, arsim i lartë, pra brenda kodit ligjor.

Jo vetëm kaq, por thuhet vlerësim i dobët i dy viteve të fundit. Vlerësimin e 2016-s e kam këtu, nga 100 pikë të mundshme kam marrë 90 pikë. Vlerësimi i punës 2017 është një fletë bosh, e pafirmosur dhe titullarja ime e parë nuk ka kryer detyrën që të ma verë në dispozicion vlerësimin e punës. Përveç se nuk ka zbatuar kriteret sipas Kodit të Punës, ka kaluar edhe kompetencat, pasi emërimi dhe shkarkimi është në kompetencën e këshillit mbikqyrës.

Marjeta Neziri: Quhem Marjeta Neziri, ish-punonjëse e terreneve sportive. Kam një vit e gjysmë që kam punuar në atë ndërmarrje. Pas një kontrate 3-mujore, unë rinovoj kontratën e dytë pa afat. Para 3 muajsh më erdhi letra për supremimin e vendit të punës dhe në datë 6 Qershor shkëputen marrëdhëniet e punës. Sot vendi i punës është, nuk është suprimuar dhe punon tjetër kush, miku i Zhanina Dapit.

Ervis Qose: Quhem Ervis Qose, me detyrën përgjegjës sektori gjelbërimi, me datën 13 Prill unë jam pushuar nga puna me motivacion “suprimim i vendit të punës”. Diploma që unë zotëroj për inxhinieri agronomi është adapt për këtë vend pune, të cilën unë e kam kryer për 5 vjet.

Unë nuk e kuptoj se çfarë kushtesh nuk plotësoj duke qenë se në këto 5 vite nuk kam marrë asnjë vërejtje, asnjë paralajmërim. Drejtoresha ka një sjellje arrogante me punonjësit, për çdo hall apo problem tonin, qoftë familjar, qoftë personal, nuk denjon as t’i takojë ata.

Vera Ismaili: Quhem Vera Ismaili, punonjëse lavanterie për 5 vjet e 7 muaj. Në datën 10 Prill më ka ardhur vendimi i pushimit nga puna. Motivacioni ishte “suprimim i vendit të punës”, kur aty ekziston vendi i punës, nuk është mbyllur.

Qytetarët të cilët tashmë janë të papunë i bëjnë thirrje kryetarit të Bashkisë, Erjon Veliaj, që ta zgjidhë këtë problem.

“Jemi katër familjarë me katër familje nga pas, të cilëve iu janë ndërprerë të ardhurat, për pasojë jemi në vështirësi. Janë edhe 40 familje të tjera që rrezikohen, pasi pushimet nga puna vijojnë nga papërgjegjshmëria e zonjës Zhanina Dapi. Stop kësaj drejtoreshe të papërgjegjshme”.

Të Fundit