Xhaçka: Shqipëria, imazh serioz në arenën ndërkombëtare – Stop
Aktualitet, Lajme, Të Gjitha

Xhaçka: Shqipëria, imazh serioz në arenën ndërkombëtare

“Në OKB ngritëm zërin për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor“

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, ka shpërndarë një videomesazh me rastin e përfundimit të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ministrja shprehet se qytetarët duhet të ndihen krenarë që vendi ynë tashmë gëzon në arenën ndërkombëtare një imazh serioz dhe të respektuar.

“Ajo që mund të them me shumë krenari, por që besoj duhet të bëjë krenarë edhe qytetarët shqiptarë, është që vendi ynë gëzon tashmë në arenën ndërkombëtare një imazh serioz e të respektuar, Shqipëria është një vend zëri i të cilit sot dëgjohet dhe respektohet. Nuk jemi, siç ndodh shpesh me vendet e vogla, thjesht një spektator në arenën e madhe globale, por një kontribues me ide edhe në debatet e mëdha për krizën ushqimore, për agresionin rus në Ukrainë, e deri tek reformimi i OKB”, u shpreh Xhaçka. 

Më tej ministrja shton se, “Qoftë në tryezat e diskutimeve, qoftë në takime bilaterale, ne kemi ndarë qëndrimin e vendosur të Shqipërisë në linjë të plotë me vendet aleate e partnere, lidhur me dhënien fund luftës në Ukrainë, dënimin e agresionit rus dhe nevojën për llogaridhënie për krimet e tmerrshme që Rusia ka kryer në atë vend, për krizën e ushqimeve që po prek dhjetëra milionë njerëz apo për nevojën për të reaguar njëzëri në mbrojtje të sistemit ndërkombëtar që garanton paqen dhe sigurinë në botë. Duke i dhënë padyshim, një vend të posaçëm mënyrës sesi këto kriza po prekin rajonin tonë dhe mënyrave sesi duhet garantuar paqja e siguria në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova, nevoja për dialog e marrëveshje e për një perspektivë të qartë integrimi, kanë zënë një vend kyç”.

 Sipas Xhaçkës gjatë kësaj jave janë vendosur ura të rëndësishme komunikimi me shumë vende për intensifikimin e marrëdhënieve. Një ndër to, ajo përmend marrëveshjen me Kazakistanin për lëvizjen e lirë pa viza.

Xhaçka shton më tej se gjatë 9 muajve në Këshillin e Sigurimit vendi ynë ka bërë hapa të jashtëzakonshme në politikën e jashtme, por tashmë është momenti për t’i përkthyer ato në rezultate konkrete e të prekshme për qytetarët.

“Kemi shumë punë përpara për t’i shfrytëzuar këto mundësi e për të shfrytëzuar këtë moment shumë të mirë për diplomacinë tonë, por ajo që mund të them pa asnjë hezitim, është që 9 muaj pas marrjes së mandatit në Këshillin e Sigurimit, vendi ynë ka bërë hapa të jashtëzakonshme në politikën e jashtme që jemi të vendosur t’i përkthejmë në rezultate konkrete e të prekshme për qytetarët shqiptarë”, tha Xhaçka./tvklan.al

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *