Vodhën 8 mln lekë bizhuteri në një argjendari në Tiranë, arrestohen 2 vëllezërit

Policia e Tiranës ka arrestuar dy vëllezërit Arlind Spahija 27-vjeç dhe Arvid Spahija, 25-vjeç, të cilët akuzohen për vjedhje.

Uniformat blu bëjnë me dije se dy të rinjtë kanë grabitur bizhuteri me vlerë 8 milionë lekë të vjetra në një argjendari në Tiranë. Më pas ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Benz”.

“Shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas njoftimit të marrë se në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dy shtetas kishin vjedhur argjendarinë në pronësi të shtetases Z. S. dhe më pas ishin larguar me një automjet tip “Benz”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Brothers”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. S, 27 vjeç dhe A. S., 29 vjeç ( vëllezër), banues në Tiranë, të dy të dënuar në Itali, për veprën penale “Vjedhja”.

Gjatë kontrollit të banesës së këtyre shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kokainë, disa sende me vlerë të dyshuara të vjedhura, një sasi parash të dyshuara të përfituara nga shitja e sende me vlerë, veshjet e përdorura gjatë vjedhjes, automjeti tip “Benz” me të cilin janë larguar, 2 aparate celular dhe një sasi valute”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të Fundit