Veliaj uron Pashkët: Së shpejti një shtatore e Nënë Terezës në Parkun e Liqenit

Pas Meshës së Pashkës qe u mbajt në Katedralen e Shën Palit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një deklaratë për mediat teksa uroi besimtarët ndau gjithashtu lajmin se së shpejti në Parkun e Gjelbër të Liqenit Artificial do të vendoset shtatorja e Shenjtores shqiptare, Nënë Terezës. Sipas Veliajt kjo shtatore do jetë një vend lutjeje për të gjithë komunitetin e besimtarëve katolikë.

“Gëzuar të gjithëve Festën e Pashkëve! Pashka, apo “Passover”, pavarësisht gjuhës, është një festë e kalimit. Ne kalojmë nga një moment i vështirë, në një moment të bukur; Krishti kaloi nga vdekja në jetë. Ne po kalojmë nga një moment i pandemisë në një moment të hapjes; nga një moment i shaktërrimit prej tërmetit, në një moment të rindërtimit; nga një moment ku kemi qenë të mbyllur, në një moment ku duhet të dalim të shijojmë jetën. Secili prej nesh e ka një ditë reflektimi, për të kuptuar se kemi nevojë të bëhemi pak më të mirë, pak më të hapur, pak më të dëgjueshëm, pak më solidarë. Besoj se e kemi fuqinë, e kemi treguar që ne, si shqiptarë, kur bashkëpunojmë bëjmë gjëra të mrekullueshme.

Me Monsinjorin kemi diskutuar që, në kodrat e Liqenit, te vendosim një shtatore të Nënë Terezës, si një vend lutjeje e reflektimi. Shumë njerëz nuk e kanë fatin të prodhojnë shenjtorë, ne e kemi dhe ndonjëherë nuk reflektojmë aq sa duhet për këtë pasuri të madhe kombëtare. Qyteti i Tiranës, ashtu siç mori vendimin për t’i rikthyer Kishën e Shën Prokopit Kishës Ortodokse, tani do fillojë shumë shpejt vendosjen e shtatores për të përkujtuar Nënë Terezën, Shenjtoren që Shqipëria i dha botës. Eshtë një kontribut i vogël për gjithë komunitetin e besimtarëve”, deklaroi kryetari i Bashkisë.

Ai e quajti një muaj fantastik për Tiranën, ku edhe për myslimanët, që janë në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, së shpejti do përfundojë Xhamia e re: “Kemi pashkët e të gjitha besimeve, kemi Ramazanin dhe Bajramin. Presim hapjen e Xhamisë së re. Unë them se në një vend ku mbizoteron harmonia, nuk ka asnjë arsye pse të jemi të ndarë e të përçarë me njëri-tjetrin. Paçi vetëm ditë të mira! Gëzuar!”

Të Fundit