Vdekja e 65-vjeçarit në Poliklinikën e Beratit, mjekët: Situata jo e mirë, nuk ka stola pritjeje dhe specialistët vijnë në mëngjes nga Tirana dhe ikin në drekë

Pas vdekjes tragjike të 65-vjeçarit Luan Hysi në ambientet e brendshme të Poliklinikës së Specialiteteve në Berat kanë ardhur edhe reagimet e para të mjekëve të vjetër specialistë beratas, të cilët kanë shpjeguar edhe situatën e rënduar me të cilën janë duke u përballur çdo ditë pacientët në këtë poliklinikë.

Mjeku kardiolog Palush Bojaxhiu ka deklaruar se, çdo ditë në këtë poliklinikë ka radhë të gjata dhe pritje me orë të tëra për një recetë ilaçesh apo rekomandim.

Sipas mjekut Palush Bojaxhiu, kjo situatë e rënduar ndodh nga mjekët e familjes që lëshojnë rekomandime për t’u drejtuar në Poliklinikën e Specialiteteve, pa i kontrolluar më parë oraret.

Për mjekut psikiatër Miltjadh Veveçka, situata në Poliklinikën e Specialiteteve nuk është e mirë.

Ai deklaron se, nuk ka stola të mjaftueshëm pritje për pacientët, radhët janë shumë të gjata dhe mjekët specialistë nuk janë nga qyteti i Beratit.

“Në vitin 2000 Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit hoqi listat rajonale të mjekëve dhe i zëvendësoi ato me listat kombëtare.
Kjo ka bërë që Poliklinika e Specialiteteve në Berat të mbushet me mjekë specialistë që vijnë nga Tirana.

Ata vijnë në mëngjes dhe ikin në drekë, ndërkohë që të shtunë e të dielë nuk ka mjekë fare dhe kjo bën shtimin e pacientëve gjatë fillim-javës”-,është shprehur mjeku psikiatër Miltjadh Veveçka për “News 24”.

Në lidhje me rastin e vdekjes së 65-vjeçarit Luan Hysi, mjeku Veveçka pohoi se u ndodh vetëm pasi ai ra në tokë, i dha ndihmën e parë mjekësore por ishte e pamundur ta rikthenin në jetë pasi zemra i kishte pushuar.

Të Fundit