U gjet në bunker në Tiranë/ 36 vjeçari vdiq nga mbidoza, shoku i fshehu trupin

Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me vdekjen e 36-vjeçarit Ilir Marku, i cili u gjet i pajetë në një bunker në zonën e Institutit në Tiranë.

Sipas informacioneve, policia ka vënë në pranga 28-vjeçarin Mariglen Isufin,  mbitë cilin rëndon akuza “fshehje të kufomës”.

Isufi bashkë me Ilir Markun kanë qenë në afërsi të bunkerit, në një lëndinë me bar, ndërsa kanë konsumuar lëndë narkotike.

Nga mbidoza, Marku ka humbur ndjenjat. Menjëherë pas ngjarjes, Mariglen Isufi është larguar për në banesë, duke e lënë mikun e tij të vetëm.

Mëngjesin tjetër ka shkuar sërish tek i njëjti vend ku e ka gjetur Ilir Markun të vdekur.

Trupin e pajetë të 36-vjeçarit e ka tërhequr zvarrë për 10 apo 15 metra dhe e ka futur në brendësi të bunkerit, duke e mbuluar me kartona.

Pas dyshimeve se Marku konsumonte lëndë narkotike, policia intensifikoi kërkimet, ndërsa ra në gjurmët e viktimës.

Pas veprimeve operative u identifikua edhe Mariglen Isufi, i cili pas arrestimit u tha hetuesve se nuk bëri denoncim në polici pasi kishte pasur frikë.

Të Fundit