Theu xhamin dhe doli nga dritarja, i mbijetuari: Shoferin e zuri gjumi, autobusi u mbush me tym, dëgjova britma

Aksidenti i një dite më parë në Bullgari ka marrë 46 jetë, mes të cilëve 12 janë fëmijë. Shumica e viktimave janë 25 deri në 30 vjeç. Ndërkohë shtatë persona të mbijetuar janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Shkaku i përplasjes nuk është konfirmuar ende megjithatë dyshimet janë se autobusi goditi një trafik-ndarëse në autostradë dhe më pas mori flakë. Flakët nisën në pjesën e përparme të autobusit, duke u lënë kohë atyre që ishin ulur në sediljet e fundit të gjenin kohë për të shpëtuar.

Në mesin e të mbijetuarve janë pjesë shtetas të Maqedonisë së Veriut, një shtetas serb dhe një belg. Ata kanë pësuar djegie dhe lëndime në trup por gjendja e tyre paraqitet stabël dhe jashtë rrezikut për jetën.

Mediat greke kanë shkruar mbi këtë ngjarje duke cituar një prej të mbijetuarve Lulzim Sulejmani i cili ka folur në spital për momentin e aksidentit. I riu ka arritur të thyejë xhamin dhe të dalë jashtë bashkë me të fejuarën e tij dhe pesë persona të tjerë. Ai ka deklaruar se shoferi në momentin e aksidentit ka gjasa ta ketë zënë gjumi.

Shoferin e zuri gjumi. Autobusi u përplas me bordurën dhe më pas plasën gomat. Më pas ai u përfshi nga flakët. I gjithë autobusi ishte mbushur me tym. Theva xhamin dhe u hodha matanë bashkë me të fejuarën dhe disa persona të tjerë. Në autobus dëgjoheshin shumë britma. Pastaj nuk e di çfarë ndodhi pasi fillova të ec dhe u largova të paktën 200 metra nga autobusi.

Unë isha katër ditë me të fejuarën time me pushime. Fëmija më i vogël mes nesh ishte 4 vjeç. Shkak i vetëm i aksidentit është përgjumja e shoferit. Po binte shi. E fejuara ime i është nënshtruar një operacioni. Pasi ka fraktura”, tha Lulzim Sulejmani, shqiptari nga Presheva e Serbisë i cili bashkë me të fejuarën po udhëtonte nga Kumanova drejt Maqedonisë së Veriut.

Dy ditë më parë Sulejmani kishte postuar foto në rrjetet sociale bashkë me partneren e tij gjatë pushimeve në Stamboll. Zyrtarët bullgarë kanë deklaruar se do të jetë shumë e vështirë për të identifikuar shumicën e viktimave për shkak të djegies.

Duke folur për mediat, drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar Bullgar, Borislav Sarafov, tha se ekziston një bashkëpunim i ngushtë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe se nga Shkupi priten të gjitha dokumentet e nevojshme në mënyrë që procesi i identifikimit të vazhdojë.

Të Fundit