Theu masat anti-Covid, kryeministri çek i kërkon ministrit të Shëndetësisë dorëheqjen

Kryeministri çek Andrej Babiš ka deklaruar se do ta shkarkojë vetë ministrin e Shëndetësisë nëse ai nuk dorëhiqet pas raportimeve në media për thyerje të masave anti-Covid.

Ministri Roman Prymula është vënë nën trysninë e opinionit publik, pasi mediat lokale e fotografuan atë duke dalë nga një restorant, i cili sipas masave të qeverisë kundër përhapjes së infeksionit duhej të kishte qenë mbyllur.

Prymula thuhet se nuk mbante as maskë kur iu drejtua makinës së tij shtetërore pas daljes nga restoranti.

“Gabimi i ministrit Prymula është i pajustifikueshëm,” – shkroi në Twitter kryeministri Babi

“Në një kohë kur po u kërkojmë njerëzve të ndjekin rregullat e rëndësishme, kur punonjësit tanë të shëndetësisë po luftojnë në vijën e parë, kjo lloj sjellje është tërësisht e papranueshme. I kam kërkuar të dorëhiqet, nëse nuk e bën, jam gati ta shkarkoj,” – ka shtuar më tej kryeministri çek.

Prej fillimit të muajit tetor Çekia po vuan një prirje tronditëse me të infektuar nga COVID-19.

Vendi me rreth 10 milionë banorë ka njohur deri më sot mbi 223 mijë raste me koronavirus, prej së cilave rreth 1,800 kanë gjetur vdekjen duke u bërë një nga shtetet më të goditura nga pandemia në Evropë.

Të Fundit