Testi i drogës për policët,Artan Hoxha: I nevojshëm, por ai alkoolit do të ishte më i rëndësishëm

Si të nevojshëm, por jo të domosdoshëm e ka cilësuar gazetari Artan Hoxha urdhrin e ri të drejtorit Gledis Nano që policët do t’i nënshtrohen testit të drogës.

Në studion e “Abc live”, Hoxha tha se testi i alkoolit do të ishte edhe më i rëndësishëm për shkak se ka një shqetësim më të madh në masë.

“Kjo është diçka e nevojshme, por jo i domosdoshëm. Testi i alkoolit do ishte dhe më i rëndësishëm, dhe është në masë më shqetësues. Nga kontakti që kam unë më shqetësues është testi i alkoolit. Drejtori e ka lëshuar këtë vendim, duke lëshuar edhe urdhrin sesi do të ekzekutohet. Testin kundër lëndëve narkotike e bëjnë të gjithë efektivët që dytën në patrullë dhe ata që janë në akademinë e sigurisë. Të gjithë ata që janë futur në këtë shkollë e kanë kaluar këtë gjë. Ndërkohë në raste e tjera ky test duhet të bëhet me përzgjedhje. Testi i kokainë, një përdorues nuk përdor një javë dhe në krye të javës ai del në rregull.

Unë shkova edhe në SPAK për atë kryetarin bashkisë, nuk u bë analizë e fijes së flokut, por vetëm e urinës, ajo në krye të javës të nxjerr të pastër. Ky si gjest ka impakt në media dhe në opinion publik. U diskutua shumë kohë që të bëhej testi i narkotikëve në Parlament. Në imazh të jep, dhe merr vëmendje, por sesa do të realizojë atje brenda, sigurisht çon edhe një mesazh tek ata që janë përdorues, që largohuni nga radhët e policisë. Nuk do të jetë si fushatë. Por, është diçka e nevojshme, por nuk e shikoj të domosdoshme,” u shpreh ai.

Sakaq, gazetari Ferdinand Dervishi thotë se Nano ka ardhur te ky vendim jo pa sinjale. Gazetari shton se ai polic që merr drogë është i lidhur me krimin.

“Unë besoj se kanë ardhur te ky vendim jo pa sinjale. Një polic që merr drogë e ke të lidhur me drogën. Nëse hiqen qoftë edhe 20 policë kemi bërë pastri të madh. është e lidhur absolutisht me krimin. Edhe sikur të largohen vetëm 20 është pastrim,” u shpreh ai.

Të Fundit