Taulant Balla: Opozita të bëhet gati për zgjedhjet e vitit 2029 se 2025 iku

Taulant Balla,  kreu i grupit parlamentar i PS-së ka folur në Parlament lidhur me buxhetin e vitit 2022, për të cilin tha se është pothuajse dyfishi i buxhetit të 2013, kohë kur qeveriste PD-ja.

Nga foltorja e Parlamentit, Balla u shpreh për PD se tashmë kjo parti nuk është as e djathtë e as e majtë, ndërsa tha se selia blu duhet të punojë për zgjedhjet e vitit 2029, pasi sipas tij, PS do të marri mandatin e katërt më 2025.

 “Më vjen keq që foltorja e Kuvendit transformohet në një model të shëmtuar të nevojës për të pasur diskutime publike, në pamundësi për t’i pasur këto diskutime në vendet e duhur sepse fjala e kolegut paraardhës nuk kishte asnjë lidhje me atë që ky akt normativ bën. Ne diskutojmë një akt normativ për rishikimin e buxhetit 2021 për të repartizuar brenda këtij buxheti një nevojë të parashikimit të një borxhi që ne marrim në nevojat që ka çdo vend për të stabilizuar borxhin e vet publik. Një gjë është domethënëse, kur Lulzim Basha dhe ai kolegu që dikur ulej këtu dhe tani e ka vendin në fund të sallës, ishin në qeveri buxheti i këtij vendi ishte 3.35 mld dollarë. Buxheti faktik i vitit 2013. Sot Shqipëria bëhet gati që të miratojë një buxhet prej 6.37 mld dollarë, ose dy herë më shumë se sa buxheti që miratuat ju në qeverinë tuaj të fundit. Buxheti më i madh i historisë së këtij vendi. Në një kohë kaq të shkurtër kemi arritur ta dyfishojmë buxhetin. Ku shtrohet argumenti që kjo qeveri s’paska bërë? Shifrat janë kokëforte. Po i shmangem atij kurthit që vjen dikush hedh një gur në pus dhe shkojnë të gjithë ta nxjerrin, kemi kohë pas një jave, 2 ditë seancë për të diskutuar buxhetin e shtetit. Ky është buxheti më i madh që ka pasur Shqipëria. Garanton dhe stabilizon rritjen ekonomike ndoshta më të lartën në rajon, që garanton mbështetjen sociale për të gjitha shtresat në nevojë. Për ne rëndësi kanë shtresat në nevojë. Ky buxhet ka buxhetin më të madh për shtresat në nevojë nga viti 1990. Është një buxhet i cili do të përfundojë tërësisht projektin e madh të rindërtimit dhe është një buxhet që do garantojë që ne të vijojmë ato investime të mëdha që lidhen me infrastrukturën e rëndësishme, kyçe të vendit tonë. Bashës do i kërkoj që të hënën tjetër të marrë fjalën në këtë seancë, në këtë foltore dhe të japë përgjigje si ka mundësi që Shqipëria në 2013 kishte një buxhet dy herë më të vogël se buxheti 2022. Sepse në krye të këtij vendi është një qeveri e përgjegjshme. Ky mandat i këtij kuvendi do jetë i ndryshëm dhe në qasjen tonë ndaj opozitës. Do i shohim propozimet tuaja, nëse kanë pak vlerë do i marrim në konsideratë. Por për çështje që lidhen me paketën fiskale dhe për buxhetin dihet dallimi mes maxhorancës dhe opozitës. Ju nuk jeni më as e majtë e as e djathtë, kur ta gjeni rrugën se çfarë jeni jemi të gatshëm të diskutojmë për programin qeverisës. Po kohë keni boll, filloni bëhuni gati për 2029 se 2025 iku”,-deklaroi Balla.

Të Fundit