Taulant Balla në Fier: Pranë familjes, por fjalë për t’i ngushëlluar nuk gjen. Prokuroria nuk ka nevojë për hetime të gjatë, dënim maksimal

FIER

Kreu i grupit socialist Taulant Balla tha se prokuroria dhe gjykata duhet të japin dënimin maksimal për autorin e krimit makabër në Fier, të vrasjes së 8-vjeçarit Mateo Vasia.

Balla ka qenë së bashku me kryetarin e bashkisë së Fierit pranë familjes dhe tha se do t’i gjenden pranë, por se fjalët për t’i ngushëlluar nuk gjenden.

“Sot nuk gjenden fjalët për të shprehur ngushëllimet ndaj familjes. Është një nga ato ngjarje të rënda, të cilat kanë prekur çdo shqiptar dhe natyrshëm ne që jemi prindër më shumë. Ajo që na bën sot të jemi të gjithë përgjegjës për ngjarjen është nevoja të kërkojmë në mënyrë të menjëhershme nga prokuroria dhe gjykata ndëshkim maksimal për këtë kalbësirë të shoqërisë i cili duhet të kalbet në burg përfundimisht.
Në këtë aspekt bashkë me kryetarin e bashkisë kemi qenë sot pranë familjes.
Këshilli Bashkiak i Fierit ka miratuar një ndihmë financiare të menjëhershme për familjen. Ne do i gjendemi pranë familjes. Fjalë për të ngushëlluar këtë familje nuk gjen. Në këtë aspekt, jemi po aq të trishtuar sa ata. Të gjitha institucionet shtetërore duhet sot të vendosin pikëpyetjet e tyre për reagimet që duhet pasur për persona të tillë, një person që ka qenë i dënuar më parë dhe për një krim të ngjashëm. Edhe pse ka marrë ndëshkimin ne duhet të rrisim përmes strukturave shtetërore aftësitë parandaluese të shtetit në këto raste. Unë jam informuar nga administratori që nga ana e bashkisë janë bërë të gjitha përpjekjet për integrimin në shoqëri e një individi të tillë, duke i afruar vend punësimi me qëllim që të parandalohen këto ngjarje. Fjalët sot janë të pakta dhe fjalët për të ngushëlluar familjen nuk i lidhja dot”, tha Balla.

I pyetur nëse është pro apo kundër dënimit me vdekje, Balla tha se Shqipëria është anëtare të Këshillit të Europës dhe kushti i parë ka qenë tërheqja nga dënimi me vdekje dhe në këtë këndvështirm ajo që parashikon Kodi Penal është dënimi me burgim të përjetshëm, ky është dënimi maksimal.
“Do i bëja thirrje prokurorisë, që nuk ka nevojë për të zgjatur shumë hetimet, hetimi është i qartë. I bëj thirrje Gjykatës së Fierit të japë këtë dënimin maksimal. Nuk e qetëson dot shpirtin e familjes, nuk e qetëson dot shpirtin e shoqërisë shqiptare, por është dënimi maksimal që duhet të jepet”, deklaroi deputeti i PS.

Të Fundit