STOP – EMISIONI 77 (SEZONI 2) – Stop
STOP

STOP – EMISIONI 77 (SEZONI 2)

Rama si lejlek, jep shpirt transparenca qeveritare.
Kryeministri Rama hodhi në fundjavë në facebook një portret të tijin nën siluetën e një lejleku. Ndërsa sot ai mblodhi pensionistët, për t’u folur për aktin e fundit “heroik” të qeverisë së tij, shpërblimet e fundvitit…Faqja “transparenca.al” nuk funksionon më që nga muaji nëntor. E hapur me bujë një vit më parë, si pika e referimit, që do të “griste” akuzat e opozitës dhe portaleve, ajo ka dhënë frymën e fundit e pa update-uar, prej më shumë se një muaji…?!

Skandali, para në kufirin drejt Kosovës, në të kundërt polici të nxin jetën.
Megjithë masat e shtuara në pikat doganore, për të lehtësuar fluksin e lëvizjeve, një shtetas kosovar është përballur me një fenomen të shëmtuar. Polici në pikën doganore drejt Kosovës ia vështirëson jetën, derisa qytetari detyrohet ta paguajë nën dorë. Fillimisht zyrtari i policisë i kërkon të shkarkojë mallin nga makina, duke e vonuar dhe penguar të kalojë. Më pas i thotë indirekt, se duhet të paguajë, duke përdorur shprehjen “a je shqiptar a cfarë je”?!…

Festat e fundvitit po afrojnë dhe si çdo vit në pikat doganore shtohet fluksi i emigrantëve. Emisioni “STOP” transmetoi një rast të shëmtuar të një efektivi policie, i cili në mënyrë indirekte i kërkon para qytetarit nga Rugova e Kosovës.

Qytetari kishte të ngarkuar në makinën e tij, disa rroba dhe dy televizorë të vjetër, por polici i pikës doganore drejt Kosovës i kërkon atij të shkarkojë mallin.

Qytetari i kërkon të mos e vonojë më tepër, pasi ndjehej i lodhur prej rrugës nga Milano deri në pikën doganore të Kukësit. Polici, për t’i marrë atë që kërkonte, e vë në “sedër” qytetarin duke përdorur shprehjen “A je shqiptar a çfarë je”?!

Qytetari nëpërmjet një kamere të instaluar në makinën e tij, na servir të plotë të gjithë bisedën që ka bërë me efektivin në pikën doganore të Kukësit.

Polici – Ec pak mbrapa!
Polici – Si kalove?
Qytetari – Mirë faleminderit, ti?
Polici – Nga po vjen ti shefi?
Qytetari – Nga Durrësi, prej Italie.
Polici – Prej Italie ë? Ma jep atë…kartën e identitetit!
Qytetari – Të Italisë apo të Kosovës?
Polici – Të Shqipërisë, të Kosovës, cfarë të kesh. Çfarë ke ngarkuar këtu?
Qytetari – Kontrolloje edhe ti se e kanë kontrolluar krejt, dy televizora të vjetër dhe rroba asgjë tjetër s’ka.
Polici – Asgjë tjetër ë? Po a mundesh pak…me hap bagazhin?
Qytetari – Po more, si jo…
Polici – Kujdes se po na del ndonjë lek i jashtëligjshëm.
Polici – Me e shkarkuar të gjithën. (bagazhet)
Qytetari – Ëëë?
Polici – Me e shkarkuar krejt.
Qytetari – S’keni ndonjë skaner ndonjë gjë?
Polici – Po për skaner thashë.
Qytetari – E pra në skaner, më lehtë pra.
Polici – Jo, jo, por në skaner me bagazhe jo.
Polici – Shttt… Fillojmë të gjithë duke parë, çfarë jemi duke shkarkuar, çfarë jemi duke ngarkuar dhe duke e futur në skaner, kam një orë aty.
Qytetari – S’ka problem, ti e di unë ju tregova çfarë ka. Rroba të përdorura, të vjetra, të mijat. Asgjë, dy televizora të vjetër, asgjë tjetër s’ka. Edhe këtu ka ilaç rrobash, për të larë me lavatriçe, asnjë gjë s’ka. Bukë me hëngër.
Polici – Ty të pastë bërë mirë po… Ti ke hëngër bukë, po ne s’kemi ngrënë akoma bukë.
Qytetari – A do panine, o burrë?
Polici – Jo panine faleminderit, se nuk ha panine unë.
Qytetari – Urdhëro!
Polici – Ç’a bën, o pejan?
Qytetari – Ç’a po jam?
Polici – A je prej Peje ti?
Qytetari – Po, i Rugovës jam.
Polici – Po këtu…
Qytetari – Po pra Rugova e Pejës.
Polici – Rugova e Pejës ë?
Qytetari – Ëëë…
Polici – Të Rugovës kanë qenë burra të mirë në fakt.
Qytetari – Edhe janë vallahi.
Polici – Nuk e di, nuk e di.
Qytetari – Vallahi edhe janë.
Polici – Si je duke ia bërë, a i zbresim a jo?
Polici – Atëherë, ç’a me të bërë, si t’ia bëjmë?
Qytetari – Ti e di. Aman se jam vonë. Jam lodhur mos më vono, aman.
Polici – Si?
Qytetari – T’i kryejmë po them. Mos më vono, se jam lodhur edhe unë. Se kam udhëtuar prej Milanos. 12 orë rrugë, plus trageti, plus këtu.
Polici – S’jemi duke të vonuar, o shok.
Qytetari – Po kryem të paktën.
Polici – Nuk jemi duke u marrë vesh. Shqiptarë jemi, s’jemi duke u marrë vesh.
Qytetari – Po.
Polici – Unë jam duke të thënë, o zotëri, do t’i shkarkosh këto rraqe a jo?
Qytetari – I shkarkojmë, por as unë nuk po di…
Polici – Po kush i shkarkon? Unë nuk jam punëtori yt.
Qytetari – Po as unë s’mundem, unë rrobat këtu, të lehta janë, o burrë.
Polici – Unë jam punonjës policie. Mos hap debate kot.
Qytetari – Po thuaje troç, o burrë!
Polici – Po ç’a me thënë troç?
Qytetari – Tregoje troç, se po ma sjell vërdall, tregoje troç të paktën. Si t’ia bëjmë? A the jam shqiptar?
Polici – Po jam shqiptar.
Qytetari – Po, por ma thuaj troç, në sy!
Polici – S’jam duke ta thënë troç.
Qytetari – Ulu, ulu, këtu! Seriozisht e kam ma thuaj troç.
Polici – Jo, jo s’jam…
Qytetari – Ta jap një kafe?
Polici – Ec…
Qytetari – Seriozisht e kam. Ëëë, na…
Qytetari – Shef!
Polici – Ej, a do me ec o bos?
Qytetari – A je mirë? A je mirë?
Polici – Veç se këtë muhabet… e lamë këtë muhabet, merri dokumentat!
Qytetari – A je mirë?
Polici – Për çdo gjë thuaj e bëra urdhrin e skanimit.
Qytetari – Ok!
Polici – Në Shqipëri.
Qytetari – A kam nevojë për ndonjë letër, për t’ia dhënë atyre?
Polici – Jo, jo, jo! Po të duash, parko makinën, ta jap unë letrën e skanerit. Jo s’ma merr mendja. Thuaj që e kam bërë urdhër – skanimin në Shqipëri.
Qytetari – Hajt shëndet!

Skandali i përdhunimit të kushërirës së mitur, i lirë autori në Gjonomadh të Korcës.
Pak ditë më parë “Stop” transmetoi skandalin e përdhunimit të kushërirës së mitur në Gjonomadh të Korcës, akt nga i cili erdhi në jetë dhe një fëmi.Por Lisandër Lato është i lirë, pavarësisht aktit incestual me të mitur.Prokurori i Korcës thotë, që po bëhen hetime, por Lisandri është sjellë në gjendje të lirë nga policia e Korcës. Nga ana tjetër prej 5 muajsh nuk ka një rezultat të analizës së ADN-së, pasi vetëm foshnjes i është marrë kampioni dhe jo Lisandrit, që pranoi me gojën e tij aktin incestual… Unioni i Prokurorëve hartoi sot një deklaratë, ku i kërkon mediave të mos bëjnë presion mbi njerëzit e akuzës dhe të mos ndikojnë në gjykime të drejta. Por Stop, përvecse do të vijojë denoncimet, i ka vënë në dispozicion edhe selive diplomatike rastin e paprecedent të vënies nën akuzë të gazetarit investigativ, që denoncoi një rast korruptiv.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *