STOP – EMISIONI 200 (SEZONI 2) – Stop
STOP

STOP – EMISIONI 200 (SEZONI 2)

Zbulohen “ciftet” e kësaj fushate dhe takimi i shumëpritur i Bashës…
Kryeministri Rama gjatë ndalesës në Vlorë, në aktivitetin elektoral të rradhës, tha se cifti i dytë surprizë në këtë fushatë, vec tij dhe Bashës, është dhe Vangjel Dule dhe Dashi i Havasë, ose Dashamir Tahiri nga rradhët e camëve.Ndërsa kreu i demokratëve Lulzim Basha “u habit shumë”, kur një bujk në Korcë, “i zbuloi” sekretin e një takimi të pritshëm me presidentin amerikan Donald Trump.Në këtë mënyrë, mes premtimeve e batutave, fushata për zgjedhjet e 25 qershorit, po bëhet cdo ditë e më pikante…?!

Abuzimi, e heqin nga puna për zjarrin në burgun e Shën Kollit, por ishte pushim…
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu burgun e Shën Kollit në fund të korrikut të vitit 2016 e për pasojë, një person humbi jetën. Incidenti i shkaktoi humbjen e vendit të punës 11 punonjësve, mes të cilëve Zef Kacelit, 20 vjet në detyrën e teknikut të ndërlidhjes dhe operatorit të kamerave.Por Kaceli tregon në “Stop”, se të shtunën e zjarrit ka qenë pushim.Specialisti i informacionit, Pashko Toci, pohon me përgjegjësi, se Zefi nuk është njoftuar për të ardhur në punë, pas rastit emergjent, pasi ai vetë është personi i vetëm, që ka bërë njoftimet.E megjithatë, Zef Kaceli ka gati një vit në mes të katër rrugëve, duke kërkuar të drejtën e vendit të punës…

“Unë quhem Zef Kaceli dhe ka 20 vite që punoj në burgun e Shën Kollit si teknik ndërlidhje dhe operator kamerash. Më datën 30 Korrik 2016, ora 15:30, ka rënë zjarr në paraburgim, në katin e dytë, ku mbeti i asfiksuar një i dënuar. Unë në atë kohë isha te shtëpia ime, duke fjetur. Unë kam qenë pushim ditën e shtunë dhe të dielën. Ditën e shtunë, në orën 08:00, kam dal në punë pas një thirrje të shefit të policisë, Fred Preçi, i cili donte të shihte disa kamera, një kontroll nga Drejtoria e Burgjeve për kapjen e celularëve. Kam ardhur në punë, ia kam liruar dhe jam rikthyer në shtëpi sepse kam qenë pushim. Në orën 16:40 kam hapur televizorin dhe kam parë ngjarjen, që në burgun e Shën Kollit kishte rënë zjarr.”

Zef Kaceli shprehet se ka humbur vendin e punës sepse kanë dashur ta zëvendësojnë me dikë tjetër, pasi për motivacionin që i është dhënë, ai nuk ka qenë prezent. Në shkresën e largimit Ministria e Drejtësisë e ka cilësuar Zef Kacelin si nëninspektor dhe shef të paraburgimit, ndërkohë që ai ka qenë i punësuar si teknik i ndërlidhjes dhe operator kamerash.

Gazetarja e emisionit “STOP” komunikoi me specialistin e informacionit në burgun e Shën Kollit, Pashko Toçin, për të pyetur se pse është larguar Zef Kaceli nga puna, kur ai ditën e ngjarjes ka qenë pushim.=

“Situatën atë ditë e kam menaxhuar unë dhe më ka takuar mua të bëj njoftimet. Unë kam njoftuar fillimisht zjarrëfikëset dhe drejtuesit e institucionit, më vonë grupet e gatshme dhe kam kërkuar ndihmë nga FNSH-ja e Policisë Lezhë dhe Drejtorisë së Përgjithshme. Kamerat dhe ndërlidhjen i kam patur në rregull dhe nuk më është dashur të njoftoja Zefin. Po të njoftoja Zefin do të ishte njësoj si të njoftoja punonjësit e policisë së turnit të tretë apo të ditës tjetër. Zefi atë ditë më ka marrë vetë në telefon rreth orës 16:30, një orë pasi kishte rënë zjarri, më ka pyetur a të vinte në institucion dhe unë i thashë nëse do të donte të vinte, por nuk ishte e nevojshme. Unë mbaj përgjegjësi për sa them. Zefi nuk është njoftuar dhe po të njoftohej vetëm nga ana ime. Zërat e tjerë që është njoftuar me telefon, e kam marrë me telefonin tim, nuk ka mundësi sepse ata që kanë qenë në shërbim nuk duhet të kenë telefonin pranë sepse quhet send i ndaluar.”

Avokati Ismet Demiraj shprehet se Zefi  Kacoli është larguar nga puna pa asnjë procedurë ligjore, pasi për largimet nga puna duhet të ngrehet një komision disiplinor, të vendosë në dijeni për masën disiplinore dhe shkeljen që ka bërë  punonjësi, si dhe nuk është paraqitur asnjë provë që të justifikojë këtë masë disiplinore. Gjykata e Shkallës së Parë ka marrë për bazë vetëm vendimin e Drejtorisë së Burgjeve dhe ka marrë vendim të njëanshëm.

Largimi nga detyra merret vetëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që është punëdhënësi i vetëm në sistemin e burgjeve. Pretendimi i Drejtorisë së Përgjtihshme të Burgjeve ka qenë se është telefonuar për një ngjarje që ka ndodhur, në kohën kur punëmarrësi Zef Kaceli ka qenë pushim, nuk ka qenë në orarin e punës, gjë që nuk është vërtetuar as me tabulate telefonike, as me ndonjë regjistrim të oficerit roje. Ne i kemi kërkuar Drejtorisë së Burgjeve prova se cili numër telefoni e ka marrë dhe në çfërë ore e ka marrë. Atje s’kanë paraqit asnjë gjë, vetëm kanë nxjerrë pretendimin që ka ndodhur një ngjarje e rëndë  dhe Zefi nuk hap telefonin, largohet nga puna.

Zef Kaceli është larguar nga puna si teknik i ndërlidhjes dhe operator kamerash në burgun e Shën Kollit prej një viti, me pretendimin se nuk është përgjigjur në telefon ditën e ngjarjes së rëndë në këtë burg, ndërkohë që ai atë ditë ka qenë pushim dhe nuk ka marrë asnjë telefonatë.

Debitor prej dy vjetësh në OSHEE për pagesën e kamatës së kamatës…
Ismet Izeti prej vitesh kishte 2 fatura energjie pa paguar dhe në vitin 2015 bën pagesën përmes bankës. Por prej dy vjetësh, OSHEE nuk ia heq emrin nga sistemi.Një gjë e tillë e penalizon zotin Izeti, pasi ai nuk mundet të kalojë kontratën nga statusi “privat” në “familjar”.Pas interesimit të “Stop”, punonjësit e OSHEE fillimisht thonë, se nuk e kanë shkresën e pagesës së kamatës. Ndërsa në një tjetër përgjigje, thuhet, se zoti Ismet Izeti nuk ka paguar kamatën e kamatës.

“Kam patur dy fatura pa paguar, ishin harruar. Me bankë u paguan sipas rregullit, gjithashtu dhe kamata. Kam që në 2015 deri më sot nuk ma hiqet nga sistemi dhe kjo bëhet pengesë për çfarëdo lloj problemi që kam unë. Përshembull, tani kam një problem, dua që çmimin privat ta kaloj në atë familjar sepse deri më 31 Dhjetor e kam pasur me qira dhe kanë ikur. Vij këtu thonë nuk bëhet sepse duhet të hiqen nga sistemi faturat dhe kamatat, pastaj të bëhet kjo. Vij në Tetor 2016 dhe më thonë zotërinjtë të përsërit edhe një herë ankesa dhe mbase e heqin. E përsërita e deri më sot nuk është hequr nga sistemi.”

Ismet Izeti shprehet se ka shkuar shpesh pranë zyrave të OSHEE për të parë nëse ia kanë hequr emrin nga sistemi, por vazhdon të qëndrojë edhe pse është ankuar shpesh herë. Punonjësit e OSHEE i thonë t’i drejtohet drejtorisë, pasi ekziston një bord që merret me këto probleme.

“Tani unë s’e heq dot, këta s’e heqin dot, bordi po e po që s’do t’ia dijë!”

Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” i drejtohet Kujdesit ndaj Klientit, në zyrat e OSHEE.

Qytetarja – Ne i kemi (faturat e bankës) dhe të faturave dhe të kamatave (kamatë- vonesat).Ja, një sekondë.

Punonjësja 1  – Po, ma jep ta shikoj!

Qytetarja – Paguar faturë është kjo, paguar kamatë – vonesë është kjo. Paguar faturë është kjo tjetra, paguar kamatë është tjetra këtu.

Punonjësja 1Një sekondë, t’i shikojmë me rradhë të lutem! Kjo është paguar kamatë, kjo?

Qytetarja – Vonesë, po.

Punonjësja 1Ku është?

Qytetarja – Ja, ja! E ke këtu, paguar kamatë-vonesë.

Punonjësja  1 Për faturën 63158. Po mbase zotëria s’e ka dorëzuar për shembull, se këtu nuk e thotë.

Qytetarja – Si nuk e ka dorëzuar? Po jo pra, se përderisa ne e kemi marrë…

Punonjësja 2 Gjithë dokumentacionin që kam, kjo është. Kjo është nxjerrë nga…

Ismeti – T’i kam dorëzuar të dyja. Jeni në dijeni që kam marrë dhe kamatë.

Punonjësja 2Kjo është një ankesë që është bërë, jo të dyja. Tjetrën e ke me tjetër njeri, s’e ke me mua.

Qytetarja – Nuk e di unë se cili operator është. Ne po flasim në gjendjen e përgjithshme.

IsmetiUnë ato që kam marrë, kam sjellë dokumentat. Unë flas me atë që ke bërë me mua.

Punonjësja 1Zonjë, për gjendje të përgjithshme nuk mund t’i hap unë të gjitha këtu. Duhet të shkoni tek drejtoria, të interesoheni.

Qytetarja – Po ju po i mohoni pra.

Punonjësja 1 Unë po mohoj se po shikoj se çfarë kam këtu.

Qytetarja – Po këto që kemi ne këtu s’doni t’ia dini fare ju.

Punonjësja 1Ne po ato do t’i marrim, do t’i shikojmë të gjitha nëse ju i dispononi…  absolutisht.

Qytetarja – Domethënë në kamatë-vonesat … quhen të papaguara ?

Punonjësja 1Jo, absolutisht jo! Nuk e thashë këtë gjë. Thashë në këtë ankesë që është bërë, kjo letër nuk ekziston këtu. Nëse ekziston shumë mirë për juve, i kishim mbaruar punët shumë më shpejt se dy vjet që ju ka zgjatur.

Gazetarja e emisionit “STOP” shprehet se pas interesimit për çështjen e Ismet Izetit, ka patur tre përgjigje të ndryshme. Në fillim u tha se Ismeti i ka paguar faturat dhe kamatë-vonesat, më pas rezultoi se ai nuk ka paguar kamatë-vonesat dhe në fund u përgjigjën se ai është debitor dhe nuk do t’i hiqet emri nga sistemi sepse ka paguar me vonesë kamatë-vonesat dhe tanimë duhet të paguajë kamatën e kamatë-vonesave.

“Në fakt ka dy vjet që kur kam bërë ankesën e parë dhe ankesën e dytë para një viti, nuk më ka thënë njeri që ke kamatë mbi kamatë për të paguar. Nuk di si të veproj me këta njerëz që nuk kthejnë asnjë përgjigje për dy vjet.”

Ismet Izeti më në fund mori një përgjigje të saktë nga OSHEE, edhe pse do t’i duhet të paguajë kamatë për kamatë-vonesat, të paktën do të mund të heqë emrin nga sistemi i debitorëve dhe do të mund të zgjidhë problemet e tij.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *