Shuhet ikona e peshëngritjes shqiptare, Ferit Berberi. Meta: Personalitet dhe legjendë

Shuhet ikona e sportit dhe peshëngritjes shqiptare, Ferit Berberi, ‘Mjeshtër i Madh’. Kampioni i shumëfishtë i peshëngritjes shqiptare ka ndërruar jetë sot në moshën 75 vjeçare.

Berberi vuante nga një sëmundje në mushkëri, duke mos ia dalë ta lërë pas problemin. I dekoruar edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”, Berberi ka qenë ikonë e peshëngritjes para viteve 1990.

Lidhur me këtë lajm të hidhur, ka reaguar me anë të një postimi në Facebook edhe Presidenti Ilir Meta. Ai shprehet se ai ishte një personalitet dhe një legjendë e jashtëzakonshme e kësaj disipline.

Ndër të tjera Presidenti shkruan se Berberi e tërhoqi në magjinë e peshëngritjes, e edukoi me shumë pasion me vlerat më të mira sportive. Me shumë trishtim dhe dhembje mësova sot për ndarjen nga jeta të Profesorit tim të dashur, Ferid Berberi, një nga kampionët më jetëgjatë në historinë e sportit tonë për më shumë se katër dekada, ish-trajnerit të madh të peshëngritjes të Ekipit Kombëtar dhe Dinamos.

Përjetë mirënjohës Profesor Feridit, i cili më tërhoqi edhe mua në magjinë e peshëngritjes, më edukoi me shumë pasion e dashuri me vlerat më të mira sportive dhe mbi të gjitha se nuk ka arritje dhe suksese pa një punë të jashtëzakonshme dhe të qëndrueshme.

Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Berberi dhe komunitetit sportiv të peshëngritësve, që humbën sot një personalitet dhe një legjendë të jashtëzakonshme të kësaj disipline. Kujtimet me Profesor Feridin për një periudhë shumë të bukur të jetës sime, do t’i ruaj përherë të gjalla si atëherë. Lamtumirë Kampion! Të prehesh në paqen e merituar!

Të Fundit