Shemben të tjera banesa te “5 Maji”, nxirret jashtë banori me certifikatë pronësie në dorë

Që prej orëve të para të mëngjesit policia dhe IMT kanë shkuar sërish në lagjen “5 maji” për të shembur banesat. Pavarësisht rezistencës së banorëve forcat e policisë kanë ndërhyrë duke i larguar ata edhe me forcë, ndërsa fadromat kanë nisur shembjet. Në ndihmë të IMT-së në zonë, kanë mbërritur forca të shumta të policisë dhe pritet të shemben rreth 11 shtëpi.

Në një moment kamerat kanë fokusuar një banorë, me certifikatë pronësie në duar, teksa ka hipur mbi mur dhe bën thirrje për të mos i shembur banesën. Pas disa minutash rezistencë ai është larguar me forcë nga policia dhe më pas fadroma ka nisur shembjen e banesës së tij.

Autoritetet kanë deklaruar se këtë program zhvillimi po e kundërshton një pakicë banorësh, ndërsa pjesa dërrmuese kanë nënshkruar marrëveshjet me pushtetin vendor.

Lagja e tregut të madh, e njohur si zona 5 maji apo Bregu i Lumit është përfshirë nga bashkia në programet e rindërtimit.

Plani parashikon shembjen e banesave të parregullta dhe ndërtimin e pallateve shumëkatëshe. Pas vendimit të qeverisë në fund të shtatorit për rindërtimin dhe shpronësimin për interes publik, Bashkia e Tiranës ka nisur njoftimet në mes të tetorit, duke ofruar pagesa qiraje dhe një akt-marrëveshje me banorët për të përfituar nga programet e rindërtimit.

Por banorët dyshojnë se dokumenti është i njëanshëm pa vulë dhe pa firmë, dhe se në të nuk shënohen afate për fillimin dhe përfundimi i punimeve, vendi dhe koha e kompensimit të pronës, shkëmbimit dhe nuk cilësohet pronësia apo përdorimi i pronës.

Banorët deklarojnë se kanë afro 4 muaj që protestojnë, por bashkia nuk i dëgjon kërkesat e tyre dhe ka mbajtur një qëndrim të ashpër dhe në mungesë të plotë transparence dhe informimi.

Të Fundit