Reshjet/ Policia-shoferëve: Ka vështirësi në qarkullim dhe prezencë uji në rrugë

Moti i keq që ka përfshirë vendin këtë të enjte ka bërë që në disa akse rrugore të ketë vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Në një njoftim për mediat, policia apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët që të bëjnë kujdes pasi ka prezencë uji në rrugë.

“Për shkak të motit të keq, me reshje të dendura shiu, në disa akse rrugore ka prezencë të ujit dhe vështirësi në qarkullim. Të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, drejtuesit e mjeteve dhe motomjeteve të moderojnë shpejtësinë, të ruajnë distancën, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të qëndrojnë në radhë në rastet kur ka fluks të shtuar mjetesh apo ngadalësim të lëvizjes për shkak të reshjeve të dendura të shiut, të vendosin rripin e sigurimit, kaskën mbrojtëse, të mos drejtojnë mjetet nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të angazhuar në të gjitha akset rrugore nacionale, qendrat urbane dhe akset kryesore rurale për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme janë edhe forcat “Shqiponja”.

“Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, janë angazhuar në të gjitha akset rrugore nacionale, qendrat urbane dhe akset kryesore rurale dhe janë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve që mund të kenë probleme, si dhe për të parandaluar aksidentet rrugore. Në rast nevoje për ndihmë, telefononi Policinë, në numrin 112, ose dërgoni njoftim në Komisariatin Dixhital. Zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor, për të mbërritur të sigurt në destinacion”, thuhet më tej në njoftim.

Të Fundit