Refuzoi të flasë për vrasjen e 8-vjeçarit, ministrja: Po shkoja në takim pune

Ministra për Fëmijët dhe Rininë, Bora Muzhaqi, ka reaguar pas kritikave të fundit që iu bënë për mos deklarimin para mediave për vrasjen e 8-vjeçarit në Fier.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo ka thënë se deklarata e saj është keqkuptuar dhe është përdorur me sarkazëm politike e mediatike.

Ajo thotë se funksioni i saj është të merret me programet jashtëshkollore dhe se për ngjarjen nuk iu duke e udhës të jepte një opinion personal.

“Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune. Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet. Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet. Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja. Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtëpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time“,-shkruan Muzhaqi.

Të Fundit