Reformë në sektorin e ujit, Balluku: 900 milionë euro investime, nuk dhanë rezultatin e duhur

Qeveria njoftoi vendimin për nisjen e reformimit të sektorit të ujit në vend. Arsye është mos-realizimi i pritshmërive pas 900 milionë eurosh investime në 3 vjet.

Pas mbledhjes së përjavshme të Këshillit të Ministrave, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se fondet e drejtuara për këtë sektor nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.

“Fondet që janë investuar në sektorin e ujit gjatë tre viteve të fundit, rreth 900 milionë euro, sigurisht kanë rritur kushtet teknike të operimit të ujësjellësve kudo nëpër Shqipëri, por ajo që ne vërejmë nga indikatorët që deklarohen vetë nga ndërmarrjet e ujësjellësve nuk janë indikatorët që ne prisnim pas kësaj shumë investimesh dhe pas të gjithë punës intensive që qeveria ka bërë”, tha ministrja.

Ajo tha se po diskutohet për disa mundësi për reformën për sektorin e ujit.

“Ne do të nisim intensivisht reformën për sektorin e ujit për të rritur mirë-menaxhimin në secilën bashki. Janë diskutuar disa mundësi për këtë reformë, nga agregimi i disa prej ndërmarrjeve dhe deri te bashkë menaxhimi midis pushtetit vendor dhe Qeverisë”, tha Balluku.

Të Fundit