Rama paralajmëron gazetarët: Kur vini për të më pyetur mua të… – Stop
Lajme, Të Gjitha

Rama paralajmëron gazetarët: Kur vini për të më pyetur mua të…

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar përsëri gazetarët të cilët i bëjnë pyetje, që sipas tij, konsiderohen jashtë normave të etikës.

Duke marrë shkas nga incidenti me gazetarin Klevin Muka, i cili i drejtoi një pyetje ministres së Jashtme, Olta Xhaçka që nuk u pëlqye nga kreu i qeverisë, Rama thotë se gazetarët që dalin jashtë normave nuk janë mirëseardhur në konferenca për mediat. Po ashtu ai thotë se qeveria nuk ka ndikuar në asnjë media, madje dhe kur shpifin.

“E përshëndes si shprehje lirie sulmin e disave, që në emër të lirisë së medias kërkojnë legjitimim për lirinë e shkeljes së normave etike deri brenda konferencave të mia për shtyp, sepse jashtë tyre tanimë kjo liri është e legjitimuar plotësisht! Por kërkesa s’mund të plotësohet. Por ja që asgjë s’ka ndryshuar nga ana tjetër, përkundrazi, megjithëse asnjë gazetari e asnjë medieje nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga kjo qeveri dhe megjithëse disponimi ndaj pyetjeve e kërkesave për informacion ka qenë maksimal, janë shtuar shpifjet e është ulur rankimi! Si përfundim: Shpifni, gënjeni, sajoni, shkruajeni e fliteni shqipen keq sa të doni, sepse askush nuk do t’ju thotë “plaç”, po mos prisni që dhe kur vini për të pyetur mua të ushtroni publikisht në mënyrë të përsëritur lirinë e shkeljes së etikës dhe përsëri të jeni të mirëseardhur”,-shkruan Rama.

Kryeministri gjatë një konference për mediat iu drejtua gazetarit Muka se do e “fuste në riedukim” deri në muajin tetor dhe se gjatë kësaj kohe nuk është i mirëseardhur në konferencat për shtyp të kryeministrit. I gjithë incidenti u krijua për shkak të pyetjes që gazetari i bëri ministres mbi kodin etik.

Pavarësisht deklaratave të Ramës, Shqipëria ka rënë me 20 vende në Indeksin Botëror të lirisë së Shtypit, përgatitur nga organizata “Reporterëve pa Kufij”, duke u renditur në vendin e 103 nga 180 për vitin 2022.

Organizatat ndërkombëtare vlerësojnë në raportet e tyre se kuadri ligjor për të drejtën e lirisë së shprehjes dhe informimit nuk zbatohet plotësisht në praktikë dhe ka shenja të përkeqësimit të lirisë së shprehjes, të informimit dhe të shtypit, të cilat vazhdojnë.

Ato theksojnë se për gazetarët në Shqipëri është mjaft e vështirë për shkak të kërcënimeve, ngacmimeve dhe kushteve të vështira të punës.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *