Rama: Me heqjen e taksës së kufirit do të ketë një ulje tjetër të biletave të fluturimeve

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin Opinion në Tv Klan gjatë një fluturimi me avion nga Tirana drejt Kukësit me aeroplanin e kompanisë WizzAir disa ditë më parë.

Këtë intervistë kreu i qeverisë e ka postuar këtë të premte në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku ndër të tjera ka folur edhe për çmimet e rëna të biletave të fluturimeve. Rama theksoi se do të ketë edhe një ulje tjetër të biletave të fluturimeve pasi do të hiqet taksa e kufirit.

Edi Rama: Kjo vlen për të dyja palët, por faktikisht me çmimet e rëna në mënyrë drastike në aeroportin e Tiranës, vetëm WizzAir u ka kursyer qytetarëve shqiptarë që fluturojnë 120 milionë plus të tjerat bëhen rreth dyfishi, bëhen 240 milionë kursime nga biletat për shkak të uljes. Tani me heqjen e taksës së kufirit do të kemi një ulje tjetër të biletave. Pra vijmë në një normalitet dhe aeroporti i Tiranës bëhet operativ.

Blendi Fevziu: Ajo që më bëri përshtypje nga biseda që pata me drejtuesit e Lufthansa ishte që shqiptarët, si pasaporta shqiptare kanë numrin e lëvizjes ndër më të lartat në rajon. Gjë që ngjan pak e çuditshme.

Edi Rama: Kjo, e bashkuar me një tjetër të dhënë të disa viteve më parë, që shqiptarët kishin numrin më të lartë të SMS-ve të kompanisë Vodafone në Europë tregon që ka një gap mes ankesës së madhe “s’kemi, s’kemi, s’kemi” dhe mundësisë për të shpenzuar.

Rama ka thënë se përveç aeroportit të Kukësit do të ndërtohet edhe aeroporti i Vlorës, që siç u shpreh Kryeministri, me shumë gjata mund të jetë edhe më i madh se aeroporti Nënë Tereza për shkak edhe të kargos. Po kështu, edhe Saranda do të ketë një aeroport, tha Rama, që do të jetë vetëm sezonal./tvklan.al

Të Fundit