Rama komenton samitin e djeshëm: Shqipëria i ofroi BE-së buzëqeshje, liderët flisnin për diellin, sikur kishin dalë nga një shpellë – Stop
Aktualitet, Lajme, Të Gjitha

Rama komenton samitin e djeshëm: Shqipëria i ofroi BE-së buzëqeshje, liderët flisnin për diellin, sikur kishin dalë nga një shpellë

Një ditë pas samitit BE-BP që u mbajt në Tiranë, kryeministri Edi Rama, fluturoi për në Bruksel ku po flitet për mbajtjen e takimit të djeshëm. Rama tha se samiti ishte i jashtëzakonshëm për historinë e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe se mbajtja e tij në Tiranë tregoi BE ka nevojë për Ballkanin, njëjtë sa ky i fundit për unionin.

“Ne kemi ardhur nga ferri, por jo nga ai francez, kemi qenë tërësisht të izoluar. Për ne Jugosllavia ku jetonin këta djem këtu ishte një lloj planet i lirisë, më mirë se BE, në ca mënyra, përveç vëllezërve e motrave tona kosovare. Por, faktikisht ne natyrshëm u bëmë kaq të përkushtuar ndaj BE saqë askush dhe asgjë nuk mund të na ndryshojë. Për të qenë seriozë samiti i djeshëm ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, më e rëndësishme në marrëdhëniet me jashtë të Shqipërisë. Në kanun, ka një pjesë të rëndësishme, shtëpia e shqiptarit i përket zotit dhe mikut. Nënkupton që çdo mik është vullneti i Zotit. Dje kishim perëndi e miq, se perënditë e BE erdhën në Shqipëri, ishte e jashtëzakonshme. Por më shumë se çdo gjë tjetër për rajonin për mua ishte një sinjal i qartë që është kuptuar tanimë që BE ka nevojë për Ballkanin perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor”, tha Rama.

Rama u ankua edhe për kohën e lënë në dispozicion për të folur, duke thënë se liderëve të Ballkanit nuk u mjaftojnë vetëm 5 minuta kohë, por nëse do t’iu jepnin kohë pa fund ata do të vijonin të flisnin.

“Ftoni njerëzit nga Ballkani dhe iu thoni 3 minuta, 5 minuta, duhet t’iu japësh kohë për të folur pafund. Të gjithë mund të ikin ne duhet të vazhdojmë të flasim. Sepse liria e fjalës ishte kaq e ndaluar, ne vijmë nga ferri”, tha Rama.

Rama tha se i dha buzëqeshje gjatë mbajtjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Sipas Ramës, ata ishin më mirë se sa kur mblidhen në kryeqytet e mëdha e depresive.

“Kur dikush më pyeti, çfarë Shqipëria mund t’i sjellë Europës? I thashë mund të sjellim buzëqeshje dhe dje sollëm buzëqeshje. I patë fytyrat e tyre dje? Ishin më mirë se sa kur mblidhen në Brukselin e mërzitshëm, në kryeqytetet depresive e të mëdha. E bukur ishte fotoja në grup dhe dëgjoja pas meje, dielli, shikoje diellin, sa diell i bukur. Dukej sikur kishin dalë nga një shpellë dhe po i gëzoheshin diellit. Këto janë gjërat e mira që i dhamë dje BE. Për të folur për buzëqeshjen, është më e thellë se ajo që duket. Ne kurrë nuk jemi të mërzitshëm. Ne jemi shumë besnikë dhe popullariteti i BE në Shqipëri vijon të mbetet shumë i lartë”, tha Rama.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *