Rama: George Soros e fondacioni i tij ndër forcat më pozitive për Shqipërinë këto 30 vite, akuzat ndaj tij shpifje e konspiracione

Kryeministri Rama ka vlerësuar Fondacionin për Shoqërinë e Hapur dhe George Sorosin, duke thënë që përfaqësojnë një nga forcat më pozitive në historinë e 30 viteve për vendin.

Për News24, ai tha se Fondacioni Soros ka dhënë një ndihmë të madhe për Shqipërinë e shqiptarë.

Kryeministri theksoi se të gjithë ata që shpifin kundër Sorosit kanë probleme me të vërtetën e të shkuarën.

“Fondacioni i Shoqërisë së Hapur është një nga forcat më pozitive në historinë e 30 viteve për Shqipërinë e shqiptarët.

Fondacioni Shoqëria e Hapur dhe Xhorxh Soros personalisht kanë bërë për Shqipërinë jashtëzakonisht shumë e sot në Shqipëri ka plot fëmijë që shkojnë në shkollat e ndërtuara nga Xhorxh Sorosi, jo një e dy, po shumë shkolla pas tmerrit të vitit 1997.

Fondacioni është pjesë e një përpjekjeje për shoqërinë e hapur dhe për këtë arsye Procesi i Berlinit e Ballkani i Hapur janë pjesë e asaj për të cilën Fondacioni ekziston.

Të gjitha shpifjet e konspiracionet që bëhen në adresë të Xhorxh Sorosit vijnë nga skuta e mendje që kanë probleme me të vërtetën, me vetë historinë e tyre e të shkuarën e tyre” – tha kryeministri Rama.

Të Fundit