Rama-gazetarëve: Qeshni ju, me satelitët nuk do të bëjmë kërkime në Mars, por….

Kryeministri Edi Rama, në prononcimin për media tha se satelitët do i kemi shumë shpejt dhe qëllimi i tyre do të jetë për të forcuar kontrollin e territorit.

Sipas kryeministrit, këto mjete garantojnë një monitorim të territorit për shumë gjëra, që nga kufijtë te ndërtimet, te monitorimi lidhur me informacionin që u duhet strukturave të shtetit.

“Kini durim, qeshni se e qeshura iu bën mirë, Shqipëria do të ketë satelitë dhe do i ketë shpejt për të forcuar të gjithë territorin në kontrolle, s’do ketë vetëm satelitë por edhe dronë inteligjentë për ta çuar vendin në një nivel tjetër në aspektin e administrimit të territorit. Këto mjete garantojnë një monitorim të territorit për shumë gjëra, që nga kufijtë te ndërtimet që ky territori te monitorimi lidhur me informacionin që u duhet strukturave të shtetit. Të çuarit deri në fund të përpjekjeve për të izoluar tërësisht trafikune lëndëve narkotike…. Për shumëçka dhe natyrisht edhe për të luftuar krimin e organizuar duke pasur kapacitete monitoruese të paimangjinueshme. Vende tjera të zhvilluara e bëjnë këtë gjë dhe e mira e kësaj kohe është se nuk ka nevojë të jesh një vend super i zhvilluar për ti vënë vetes në dispozicion mjete të kësaj natyre. Do i kemi shpejt satelitët”, tha Rama.

Ditën e djeshme nga foltorja e Kuvendit, Rama u ndal te mbrojtja e territorit. Në këtë drejtim ai paralajmëroi se Shqipëria do të dërgojë në orbitë, duke nisur nga viti i ardhshëm, dy satelitë, të emërtuar “Albania 1 dhe Albania 2”.

I pyetur nga gazetarët nëse prioritet do jetë uji 24 orë apo satelitët, kryeministri Edi Rama të gjitha bashkë kanë rëndësi.

Më tej ai tha se Shqipëria nuk do të dërgojë satelitë për të bërë kërkime në Mars, por ato do të përdoren për kontrollin e territorit për të identifikuar në kohë reale shkeljet dhe cenimin e mjedisit.

“Ujë 24 orë apo satelitët? Psh po t’u them unë që satelitët lidhen edhe me ujin 24 orë cfarë do të thoni ju? Të gjitha bashkë. Përmes satelitëve dhe dronëve inteligjentë do të kemi një kontroll mbi të gjithë lumenjtë e Shqipërisë dhe do të identifikojmë cdo lloj ndërhyrje të paligjshme në shtretërit e lumenjve apo kontrollin mbi mjedisin duke identifikuar në kohë reale cenimin e mjedisit.

Kështu që të gjitha këto shkojnë bashkë. Nuk do të çojmë satelitë për të bërë kërkime në Mars, na duhen sy inteligjentë të një kapaciteti që i tejkalon njerëzoret për të pasur informacion mbi territorin e vendit tonë dhe cdo ndërtim pa leje që bëhet në Shqipëri dhe jo duke e lënë në rrjedhën e inspektimeve. Me dronë dhe satelitët kjo gjë identifikohet të nesërmen” tha Rama.

Të Fundit