Presidenti Ukrainës Zelensky: Jemi të vetëm, vendet më të fuqishme në botë, po shikojnë nga larg

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një video-mesazh të ri të premten në mëngjes, kërkoi rezistencë ndaj pushtimit rus dhe kritikoi aleatët e Ukrainës për herë të dytë në vetëm pak orë.

Zelensky në hapje të fjalimit tha se “ky është mëngjesi i dytë i luftës gjithëpërfshirëse”.

“Këtë mëngjes, ne po mbrojmë vendin tonë të vetëm. Ashtu si dje, vendet më të fuqishme në botë, po shikojnë nga larg ” tha ai në një video në Facebook.

“Rusia u godit me sanksione dje, por këto nuk janë të mjaftueshme për të larguar këto trupa të huaja nga toka jonë.”

Zelensky shtoi se populli ukrainas po vazhdon të rezistojë, “duke demonstruar heroizëm të vërtetë. Armiku u ndalua në shumicën e drejtimeve. Ka luftime që po zhvillohen … Ne nuk do të lodhemi.”

Në orën 4 të mëngjesit, forcat ruse vazhduan të lëshonin sulme me raketa në territorin e Ukrainës. Ata thonë se kanë në shënjestër vetëm objektet ushtarake, por këto janë gënjeshtra. Në fakt, ata nuk e dallojnë se ku veprojnë”, tha Zelensky.

“Në qiellin mbi Kiev (sot mëngjes), pati bombardime. Pati një zjarr në një ndërtesë banimi. Sulme të tilla në kryeqytetin tonë nuk kanë ndodhur që nga viti 1941.”

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko tha në një postim në Twitter të premten në mëngjes se tre persona u plagosën, njëri prej të cilëve është në gjendje kritike “si rezultat i një rrënoje nga një raketë që goditi ndërtesën e banimit 7-A në rrugën Koshitsya”.

Të Fundit