Përshtatën banesën për kultivim kanabisi, arrestohet çifti i bashkëshortëve

Dy persona janë vënë në pranga nga policia me akuzën e prodhimit të lëndëve narkotike. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se pas një pune hetimore disajavore u finalizuar operacioni antikanabis i koduar ”Vila”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit K. Z., 34 vjeç dhe A. Z.(D.), 31 vjeçe, banues në Vorë, bashkëshortë me njëri-tjetrin.

Sipas policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin përshtatur ambientin e banesës së tyre me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3.6 kg lëndë e dyshuar kanabis, 9 fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar, pajisje që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, fara kanabisi dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Të Fundit