Për herë të parë në histori sigurohen mostra nga përbërja e brendshme e një asteroidi – Stop
Aktualitet, Të Gjitha

Për herë të parë në histori sigurohen mostra nga përbërja e brendshme e një asteroidi

Një mision hapësinor japonez për të mbledhur mostrat e para të përbërjes së brendshme të një asteroidi (trup qiellor) ka sjellë rezultat të suksesshëm, pasi kapsula që mbante materialin u ul në mënyrë të sigurt në një zonë shkretinore të Australisë së jugut.

Anija kozmike Hayabusa 2 lëshoi ​​kapsulën e vogël të shtunën dhe e dërgoi atë drejt Tokës për të dorëzuar mostrat e marra nga brendësia e sipërfaqes së asteroidit të mbiquajtur “Ryugu”, nga i cili u nis një vit më parë rreth 300 milionë kilometra larg nga Toka.

Kjo është hera e parë në historinë e studimit të hapësirës që arrihet të mblidhen mostra të brendësisë së sipërfaqes së një asteroidi, mostra të cilat mund të dëshmojnë për përbërjet minerare, rrezatimet, prejardhjen, zhvillimin dhe historinë e mundshme të vetë sistemit diellor.

Hayabusa2 preku dy herë sipërfaqen e asteroidit “Ryugu”, së pari për të mbledhur mostra pluhuri në muajin shkurt 2019, dhe më pas për të kryer punën më të vështirë, atë të mbledhjes së materialit nëntokësor, gjë që mundi ta kryejë me sukses në korrik të po vitit të shkuar.

Për ta bërë këtë anija kozmike shpërtheu një krater në sipërfaqen e asteroidit para se të ulej në të.

“Ryugu” në japonisht do të thotë “Pallati i Dragoit”, çka në Japoni është i njohur prej emrit të një kështjelle në fund të detit e përcjellë prej një përralle popullore.

Kapsula që mbante ngarkesën e çmuar hapësinore u ul me sukses në një zonë shkretinore të Wommeras, një qytezë kjo pak e populluar në Australinë e Jugut.

Agjencia Japoneze e Eksplorimeve Hapësinore (JAXA) tha se ekipi i saj i kërkimit e gjeti kapsulën në zonën e parashikuar të uljes.

Kapsula, e bërë në formën e një tigani, me diametër rreth 40 centimetra, u gjet pas dy orësh kërkimi.

Ajo zbriti nga 220,000 kilometra lartësi pasi u nda nga Hayabusa 2 në një operacion sfidues që kërkonte kontroll të ndërlikuar.

Zyrtarët e JAXA thanë se shpresonin të kryenin një inspektim paraprak të sigurisë në një laborator Australian dhe ta sillnin kapsulën përsëri në Japoni në fillim të javës së ardhshme.

Kthimi i kapsulës me mostrat e para në botë të asteroideve për përbërjen e tyre vjen një javë pasi anija kozmike OSIRIS-REx e Agjencisë Amerikane të Aeronautikës (NASA) bëri me dije kapjen e suksesshme të mostrave sipërfaqësore nga asteroidi Bennu.

Ndërkohë, Kina njoftoi këtë javë për arritjen me sukses të misionit të saj për mbledhjen e mostrave nën-sipërfaqësore të Hënës.

Kështu gara për zhvillimin e njohurive rreth hapësirës duket se po zgjohet sërish vitet e fundit.

JAXA shpreson të gjejë të dhëna se si materialet shpërndahen në sistemin diellor dhe lidhen me jetën në Tokë.

Për anijen kozmike Hayabusa 2, ky nuk është fundi i misionit, që filloi në vitin 2014.

Tani ajo po shkon drejt një asteroidi të vogël të quajtur 1998KY26 në një udhëtim të planifikuar për të marrë së paku 10 vite kërkime të mundshme, duke përfshirë gjetjen e mënyrave për të parandaluar meteoritët që të godasin Tokën.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *