Patos, eshtrat e të vdekurve në sipërfaqe, kryebashkiakja ka axhendë tjetër. 3 prill 2018

Gazetarja e emisionit “Stop” ka udhëtuar drejt fshatit Dukas Breg të rrethit të Patosit për një problem të pazakontë. Oborri i një godine, që më herë ka shërbyer si kishë për komunitetin ortodoks e herë si zyrë ferme, është bërë edhe streha e fundit për 30-40 persona të ndarë nga jeta. Por sot eshtrat e të vdekurve kanë dalë në sipërfaqe.

“Është shumë shqetësuese sepse këtu ndodhen edhe plehrat edhe eshtrat e të parëve. Është shumë problematike për komunitetin që banon këtu. Ka patur raste që kanë ardhur njerëz dhe kanë hapur gropat. Kanë nxjerrë eshtrat dhe i kontrollojnë për të gjetur se mos kanë futur sende të vlefshme në atë kohë”, shprehet një banor.

Ndërsa një tjetër thotë se janë të tmerruar, madje iu dalin edhe në ëndërr eshtrat e të vdekurve. “Është turpi i botës!”, thekson ai.

Ata gjithashtu tregojnë të shqetësuar se fëmijët e tyre nuk e dinë se çfarë janë, ndaj dhe luajnë me to.

“Është shumë e rrezikshme sepse edhe banesa është në degradim. Mund të bien inertet dhe të vrasin fëmijët tanë. Edhe mikrobet, që janë eshtrat e të vdekurve sepse janë të vegjël, nuk dinë dhe luajnë!”, shprehet një nënë.

Nga ana tjetër, kryetarja e Bashkisë Patos, Rajmonda Balilaj thotë se nuk është në dijeni, pavarësisht faktit që banorët e kanë informuar. Ajo shprehet se as gazetaren nuk e pret dot, pasi e ka të “axhenduar” ditën.

Kryetarja – E para një herë që ua kam nisur, nuk bëj pritje për ju se e kam axhenduar ditën e sotme dhe për gjithçka që ju e keni merak shkruajeni aty, që unë të mbledh informacionin.

Gazetarja – Aaaa, ju s’qenkeni në dijeni fare për skandalin?

Kryetarja – Jo, s’kam fare dijeni. Nuk di fare se ça skandali.

Gazetarja – Domethënë, ju paska zënë gjumi juve?

Kryetarja – Po!

Gazetarja – Atje bëhet kërdia me eshtrat e të vdekurve, ju akoma vazhdoni flini gjumë.

Kryetarja – Dakord!

Gazetarja – Faleminderit!

Gazetarja e emisionit “Stop” u shpreh se derisa të reagojë kryetarja e Bashkisë Patos, eshtrat do të shërbejnë si lodra për fëmijët e zonës…

Të Fundit