Pas dy vitesh pandemi, besimtarët mbushin kishat për Pashkët Ortodokse

Pas dy vitesh pandemi, besimtarët ortodoksë kanë mbushur plot kishat në të gjithë vendin ku kanë ndjekur meshën e ngjalljes së Krishtit.

Mëngjesin e kësaj të diele edhe kryeministri Edi Rama e ka nisur me një urim për besimtarët për Pashkët Ortodokse.

Ai ka publikuar një foto në Facebook, bashkangjitur së cilës shkruan: “Gëzuar Pashkët Ortodokse”.

Mbrëmjen e së shtunës edhe Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, ka hapur dyert për besimtarët, për mbajtjen e meshës së shenjtë. Mesha u drejtua nga kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili kreu ritualet fetare.

Edhe në Fier besimtarët ortodoksë u mblodhën në kishën e Shën Gjergjit, ku Mitropoliti At Nikoll Hyka ka mbajtur meshën që i dedikohet ringjalljes së Krishtit.

Në Korçë mijëra besimtarë u mblodhën në Katedralen Ringjallja e Krishtit, ku Paskal i Mitropolitit imzot Joanit mbajti meshën dha një mesazh për të gjithë besimtarët.

“Duke besuar në Perëndinë e paqes, së pari le të bëjmë paqe në zemrat tona dhe më pas ajo do të arrijë edhe tek të tjerët, sepse nuk mund të përhapim paqe nëse ne nuk e kemi atë brenda nesh. Në këtë ditë të shenjtë të Ngjalljes së Krishtit dhe të paqes që ai u jep të gjithëve, le të përpiqemi që të ndriçohemi nga drita e Tij e shenjtë, e cila është paqe – paqe me Perëndinë, paqe me veten tonë dhe paqe me të gjithë botën. Gëzuar Pashkën dhe për shumë vjet”, tha imzot Joanit.

Në Gjirokastër, mesha u përcoll nga besimtarët e shumtë të cilët nxitonin të ndiznin qiririn në shenjë mbarësie për ringjalljen e një epoke të re.

Në Vlorë mesha e shenjtë u mbajt në kishën e Shën Theodhorit, ku atë Konstandin Prifti ka uruar Gëzuar pashkët “Krishti u ngjall“.

Ceremonia e Pashkës në Berat u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga At Johan Qako.

Simboli i Festës së Pashkëve Ortodokse është veza e kuqe, ndërsa në tavolinën e drekës nuk mungojnë buka e ëmbël apo dhe mishi i qengjit.

Kjo festë cilësohet një nga festat më të rëndësishme nga besimtarët ortodoksë, sepse Krishti rikthehet përsëri në jetë. Pashka është kremtimi i ringjalljes së Jezusit, e cila festohet tri ditë pas vdekjes së tij në kryq.

Të Fundit