Pas 14 vitesh betejë, Greqia lejon zyrtarisht hapjen e xhamisë së parë në Athinë

Xhamia e parë në Athinë ka hapur zyrtarisht dyert pas 14 vjet pritje për komunitetin mysliman. Godina e re e kultit në lagjen industriale të Athinës, Votanikos, do të shërbejë për komunitetin prej rreth 500 mijë anëtarësh, që kanë lobuar tek qeveria për dekada me radhë.

Ndërtimi i xhamisë është shoqëruar me debate, si dhe me ndryshim të vendndodhjes për shkak të protestave të banorëve vendas, që nuk e dëshironin në lagjet e tyre dhe kundërshtimet e klerikëve ortodoksë grekë dhe nacionalistëve.

Kisha zyrtare ortodokse greke nuk e kishte kundërshtuar projektin, edhe pse kishte shprehur rezervat e saj.

 “Është një moment historik për komunitetin mysliman të Athinës. Kemi pritur shumë gjatë për këtë xhami, që kur ligji i parë u miratua në 2006-n. U deshën 14 vjet sepse kishte kaq shumë barriera burokratike dhe ligjore lidhur me procesin e ndërtimit. Por tani, falë Zotit, kemi një xhami ku mund të lutemi të lirë”, tha Heider Ashir, anëtar i këshillit qeverisës të xhamisë.

Athina nuk ka pasur një xhami zyrtare që kur detyroi forcat pushtuese otomane të largoheshin rreth 200 vjet më parë. Ndërtimi i saj nisi në vitin 2017, por xhamia është ngritur me një arkitekturë të ulët, duke shkaktuar ankesa nga besimtarët.

Ajo ka formën e një magazine, është ndërtuar me mure alumini dhe nuk ka minare.

“Kam përshtypje të ndryshme për shkak se nga njëra anë kemi një xhami publike, por në anën tjetër duket që është një xhami për qytetarë të dorës së dytë. Sikurse mund të duket, ambienti brenda saj tregon mënyrën si shteti i percepton myslimanët. Kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë me një kishë”, tha Anna Stamou, përfaqësuese e Shoqatës Myslimane të Greqisë.

Xhamia hapet në kohën e pandemisë së coronavirusit, që ka kufizuar numrin e besimtarëve që mund të ndjekin lutjet në 13 persona, 9 burra dhe 4 gra, si dhe ditën kur hyn në fuqi bllokada kombëtare.

Të Fundit