Papa përqafon emigrantët dhe jep mesazhe të forta: Mesdheu u bë varrezë, turp nga fëmijët!

“Mesdheu është një varrezë pa gurë varresh, le të ndalojmë mbytjet”. Kështu u shpreh Papa Françesku në Lesbos ku takoi dhe përqafoi emigrantët e kampit të refugjatëve në ishullin grek.

“I lutem Zotit të na zgjojë nga harresa për ata që vuajnë, të na shkundë nga individualizmi që përjashton, të zgjojë zemrat e shurdhra ndaj nevojave të të tjerëve” tha ai.

Papa Françesku u kthye në qendrën e refugjatëve në Lesbos pesë vjet pas vizitës së tij të parë. Ai eci duke përshëndetur njerëzit dhe duke përkëdhelur fëmijët.

“Jo mbylljeve dhe nacionalizmave. Mbylljet dhe nacionalizmat, na mëson historia, çojnë në pasoja katastrofike. Është iluzion të mendosh se mjafton të mbrohesh, duke u mbrojtur nga më të dobëtit që trokasin në derë. E ardhmja do të na vërë edhe më shumë në kontakt me njëri-tjetrin. Për ta kthyer në të mirë, nuk duhen veprime të njëanshme, por politika të gjera” tha ai.

“Historia na mëson këtë”-vazhdoi ai-por “ne ende nuk e kemi mësuar. Mos ia ktheni shpinën realitetit, mos delegoni gjithmonë çështjen e migrimit tek të tjerët”.

“Të shohim fytyrat e fëmijëve dhe të na vijë turp. Ne gjejmë guximin të turpërohemi para tyre, të cilët janë të pafajshëm dhe janë e ardhmja” vijoi më tej Papa Françesku duke përdorur fjalë të forta për t’i tronditur të gjithë përballë tragjedisë së emigrantëve, e cila gjithmonë duket se po fshihet në plan të dytë.

Vetëm të vegjlit “sfidojnë ndërgjegjen tonë dhe na pyesin: çfarë bote doni të na dhuroni? Mesdheu, i cili për mijëvjeçarë ka bashkuar popuj të ndryshëm dhe toka të largëta, po bëhet një varrezë e ftohtë pa gurë varri. Ky pellg i madh uji, djepi i shumë qytetërimeve, tani duket si një pasqyrë vdekjeje” deklaroi ai.

Të Fundit