Pandemia rrit vjedhjen e biçikletave, çdo ditë në policinë e Tiranës denoncohen 20-30 raste

Pandemia Covid19 shtoi përdorimin e biçikletave por njëkohësisht edhe vjedhjen e tyre. Çdo ditë në kryeqytet raportohen 20 deri në 30 biçikleta të vjedhura identifikimi i autorëve është tejet i vështirë për shkak se denoncuesit nuk disponojnë fatura blerje apo një dokument me numrin e serisë.

Lëvizjet e kufizuara gjatë kohës kur Shqipëria ishte në shtetrrethim si pasojë e pandemisë së Covid19 rriti ndjeshëm përdorimin e biçikletave nga qytetarët.

Por përdorimi në masë i biçikletave solli dhe shtimin e vjedhjeve të tyre. Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se çdo ditë në të gjithë komisariatet e policisë në Tiranë denoncohen 20-30 biçikleta të vjedhura ndërsa në rang vendi kjo shifër shkon në 50-60.

 Disa prej vjedhjeve të kryera në javët e fundit në kryeqytet me autorët të cilët ende nuk janë identifikuar nga ana e policisë. Me maska anti-Covid për të mos u identifikuar nga kamerat e sigurisë dhe me pinca mekanike hajdutët zgjedhin sheshpushimet e pallateve dhe garazhet e tyre për të kryer vjedhjet.

Gjurmimi por dhe identifikimi i biçikletave të vjedhura ka vështirësi për shkak se pjesa më e madhe e denoncuesve nuk disponojnë fatura blerje apo një numër serie.

Policia raporton  se biçikletat e vjedhura hidhen sërish në treg nga hajdutët që i shesin ato për një çmim shumë herë më të vogël se vlera reale e tyre. Kjo ka bërë që shpesh herë policia e Tiranës të ndërmarrë operacione në disa prej tregjeve ku shiten biçikleta duke bllokuar një numër të madh pasi nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm.

Të Fundit