Ogerta Manastirliu: Vaksinim derë me derë për të mbrojtur qytetarët

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka bërë të ditur se prej ditës së sotme ka nisur procesi i vaksinimit anti-COVID me njësitë e lëvizshme.

Me anë të një postimi në Facebook, Manastirliu bën me dije se vaksinimi në komunitet filloi sot nga Paskuqani, në periferi të Tiranës dhe do të shtrihet në të gjithë vendin.

Ajo u shpreh se kjo do të jetë një mënyrë efektive, pjesë e planit masiv të vaksinimit, për t’i dhënë mundësinë çdo qytetari të vaksinohet pranë vendbanimit të tij.

Punë fantastike e ekipit të qendrës shëndetësore #Paskuqan dhe Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, me vaksinimin derë më derë, për të mbrojtur sa më shumë qytetarë nga Covid19. Nisëm sot vaksinimin me njësitë e lëvizshme në komunitet, pjesë e planit kombëtar të vaksinimit masiv, për t’i dhënë mundësi çdo qytetari të vaksinohet, afër vendbanimit.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,016,554 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 431,722 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.

Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.

Të Fundit