OBSH aprovon për përdorim emergjent vaksinën kineze “Sinovac”

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka dhënë dritën jeshile vaksinës së dytë anti-COVID të zhvilluar në Kinë, “Sinovac-CoronaVac”.

OBSH e ka vlerësuar si të përshtatshme për përdorim emergjent vaksinën kineze, pasi përcaktoi se plotëson standardet ndërkombëtare të sigurisë, efikasitetit dhe të prodhimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon se vaksina duhet të përdoret tek të rriturit mbi 18 vjeç dhe të injektohet në dy doza me 2-4 javë diferencë nga njëra-tjetra.

Vaksina e cila në disa vende njihet si ‘CoronaVac’ është vaksina e dytë kineze që aprovohet nga OBSH për t’u imunizuar ndaj COVID-19, pasi në 7 maj mori aprovimin vaksina tjetër e prodhuar në Kinë, ‘Sinopharm’.

“Rezultatet e efikasitetit të Sinovac treguan se ajo parandalonte deri në 51 për qind format simptomatike të sëmundjes tek personat e vaksinuar me të dhe deri në 100 për qind format e rënda të COVID-19 dhe hospitalizimet tek popullsia që u bë pjesë e studimit”, thotë OBSH.

Lajmi është shpërndarë edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, duke qenë se vaksina kineze ‘Sinovac-CoronaVac’ është duke u përdorur masivisht në Shqipëri për vaksinimin e të moshuarve dhe jo vetëm.

“Lajm i mirë. OBSH miraton përdorimin emergjent të vaksinës së kompanisë Sinovac, CoronaVac COVID-19, duke garantuar që plotëson standardet ndërkombëtare të sigurisë, efikasitetit dhe prodhimit”, shkroi ministrja në Facebook.

Të Fundit