Në Britani u mor me drogë, 26-vjeçari shqiptar: Babai na futi në gjakmarrje, nëna…

Një shqiptar i cili u gjet në një “shtëpi bari” në Mbretërinë e Bashkuar, tentoi të kalonte çatitë e disa shtëpive në mënyrë që të arratisej nga policia kur kjo e fundit hyri me forcë nga dera e përparme.

 

Sipas informacioneve, gjithçka u zbulua në 14 maj të këtij viti, kur oficerë policie nga ekipi i krimit të organizuar në Swansea ekzekutuan një urdhër kontrolli në një shtëpi pranë “Palace Theatre”. Oficerët fillimisht rrethuan shtëpinë dhe ndërsa filluan të futeshin panë 26-vjeçarin Geardo Xixi që po largohej nga pjesa e pasme e ndërtesës duke u ngjitur në çati.

Duke tentuar të arratisej ai filloi të ecte nëpër çatitë e shtëpive ngjitur para se të zbriste në pjesën e pasme të kopshtit të një banese në High Street ku edhe u arrestua.

Nga kontrolli i shtëpisë policia zbuloi se një dhomë në katin e poshtëm, dy dhoma gjumi si dhe papafingoja ishin shndërruar në një mjedis për kultivim kanabisi ku muret ishin të veshura me faqe plastike, ishin vendosur drita, ventilatorë, kohëmatës dhe pleh. Po ashtu një dhomë ishte përdorur për tharjen e bimës. Në total policia gjeti 130 bimë kanabis.

Gjithashtu policia zbuloi se ishte ndërhyrë në kabinën kryesore elektrike për të marrë energji, gjë që sipas tyre mund të kishte shkaktuar edhe ndonjë tragjedi për banorët e tjerë të zonës.

Sipas avokatit të Gerardo Xixit, ekspertët kanë arritur në përfundimin se kjo shtëpi droge me 11 kilogramë kanabis arrin një vlerë shumicë deri në 57.000 Paund ndërsa në treg pakice kap një vlerë shumë më të lartë.

Gerardo Xixi ka thënë se ai është në fakt një viktimë e skllavërisë moderne. Ai tregoi se ka ardhur në Mbretërinë e Bashkuar për të punuar në ndërtim pasi familja e tij ishte përfshirë në një gjakmarrje, duke qenë se i ati kishte vrarë një burrë në vendlindjen e tij. Ai ka rrëfyer se që prej Dhjetorit ka banuar në të njëjtin vend dhe se është paguar 100 Paund në javë.

Pas pretendimeve të Xixit se ishte viktimë i skllavërisë moderne u kryen hetime, por rezultoi se i pandehuri kishte qenë i lirë të hynte e të dilte nga shtëpia në afërsi të “Palace Theater” e po ashtu kishte pasur mundësinë të përdorte telefona.

Shqiptari nuk rezultonte i dënuar më parë në Mbretërinë e Bashkuar ndërsa ende nuk është dhënë përgjigje nga autoritet shqiptare në rast se ka pasur dënime të mëparshme në vendin tonë për të pandehurin.

Mësohet se 26-vjeçari ka studiuar Menaxhim Biznes në Shqipëri, por i është dashur t’i braktisë studimet për shkak të sëmundjes së nënës së tij. Atij i duheshin para “të shpejta” për t’u kujdesur për të.

Gjykatësi Geraint Walters arriti në përfundimin se Xixi po punonte në një plantacion kanabisi të drejtuar nga një bandë kriminale shqiptare dhe se të ardhurat e këtij biznesi përdoreshin për financimin e aktiviteteve të tjera kriminale. Ai u shpreh se hetimet në “shtëpitë e barit” duhen marrë shumë seriozisht nga policia pasi mënyra e vetme për të ndaluar këto aktivitete kriminale është gjetja e atyre që i drejtojnë.

Geraldo Xixi pasi pranoi fajësinë u dënua me 12 muaj burg./tvklan.al

Të Fundit