“Ndaleni avionin, do vras veten”, ja si azilkërkuesi shqiptar kundërshtoi dëbimin nga Britania e Madhe – Stop
Aktualitet, Lajme, Të Gjitha

“Ndaleni avionin, do vras veten”, ja si azilkërkuesi shqiptar kundërshtoi dëbimin nga Britania e Madhe

Plani i qeverisë së Britanisë së Madhe për të dërguar azilkërkuesit në Ruanda është anuluar në minutën e fundit pas një vendimi të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që e ka dënuar këtë nismë.

Deri në shtatë persona që kishin mbërritur në Britani për të kërkuar strehim pritej të largoheshin në vendin e Afrikës Lindore një orë e gjysmë përpara se fluturimi të nisej.

Mes tyre një azilkërkues shqiptar dhe viktimë e dyshuar e trafikimit ka thënë për TheGuardian se ishte në një “gjendje shumë të keqe mendore” teksa po priste të hipte në fluturimin e deportimit për në Ruanda, një vend për të cilin ai tha se nuk di “asgjë”.

Media britanike shkruan se 26-vjeçari shqiptar ishte një prej shtatë azilkërkuesve që nisën sfidat ligjore të minutës së fundit për të shmangur fluturimin me forcë në vendin e Afrikës Lindore. Pjesa tjetër përfshijnë tre iranianë, një azilkërkues irakian dhe një vietnamez, të cilët mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla në mes të majit.

Ndërkohë djali shqiptar tha: “Në Shqipëri jam shfrytëzuar nga trafikantët për gjashtë muaj. Më trafikuan në Francë. Nuk e dija se në cilin vend po më çonin”.

Ai tha se kur e hipën në një varkë të vogël në Francën veriore, iu dha të kuptonte se trafikantë të tjerë do ta prisnin kur të mbërrinte në Mbretërinë e Bashkuar.

“Jam në gjendje shumë të keqe mendore. Nuk dija asgjë për Ruandën. Nuk kam qenë kurrë në Afrikë dhe nuk mendoj se do të jetë e sigurt për mua. Nuk mund të kthehem në Shqipëri se do të më vrasin trafikantët atje. I vetmi vend i sigurt për mua është Britania e Madhe. Si mund të dërgojnë një shqiptar në Afrikë?”.

Burri tha se kishte menduar të vriste veten në vend që të hipte në avion.

Ndërkohë, një nga burrat iranianë tha: “Unë prisja mbështetje nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, por nuk mora asnjë, kështu që po i kërkoj popullit britanik të më mbështesë në vend të kësaj. Unë kam një djalë në Mbretërinë e Bashkuar, por nëse më dërgojnë në Ruanda, nuk do të mund ta shoh. Kam shumë stres dhe unë dhe djali im kemi një situatë shumë të keqe të shëndetit mendor. Familja ime në Iran është shumë e shqetësuar për atë që po më ndodh. Gjithmonë kam menduar se këtu ka drejtësi, por nuk kam gjetur drejtësi në këtë vend”.

Një burrë i dytë iranian, i cili gjithashtu është planifikuar të deportohet, tha: “Isha i përfshirë në politikë paqësore, demokratike kundër regjimit iranian. Qeveria e ekzekutoi kushëririn tim dhe e mbajti e torturoi xhaxhain tim për katër vjet. Nëse do të qëndroja në Iran, do të më ekzekutonin gjithashtu, ose të paktën do të më dënonin me 30 vjet burg. Ika nga një regjim brutal. Unë nuk jam kriminel. Dua që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të dijë se unë dua të jetoj vetëm në paqe. Për shkak të marrëdhënieve të mira diplomatike midis Iranit dhe Ruandës, unë jam i shqetësuar se nëse më dërgojnë në Ruanda … qeveria e Ruandës do të më kthejë në Iran.”.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *