Ministrit i Brendshëm, Çuçi: Policia sot si nata me ditën me atë që ishte dikur, sfidën e kemi me veten

Buxhetin e alokuar për Policinë e Shtetit, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi e ka cilësuar si më të mirin e dhënë ndonjëherë. Nga foltorja e Kuvendit, ministri tha se fokusi kryesor i investimit do të jetë teknologjia, pasi synohet modernizimi i policisë.

Për Çuçin, policia është sot si nata me ditën me atë që ka qenë para se socialistët të merrnin drejtimin e vendit. Ministri kujtoi edhe njëherë se duke filluar nga janari punonjësit e policisë që ushtrojnë detyrën larg banimit do të përfitojnë një shpërblim.

“Ne sigurisht ashtu siç ne kemi paraqitur dhe në program synojmë të modernizojmë policisë, duke adaptuar teknologjinë. Luftën për parandalimin e paligjshmërisë do të ngremë në një nivel tjetër. Kemi siguruar një rritje që në vitin e parë të mandatit të tretë qeverisë, nuk mund ta krahasojmë këtë buxhet me atë të tetë viteve më parë. Kemi gjetur një polici me 70% të mjeteve të patrullave në gjendje të dobët. Sot flota është rinovuar dhe po modernizohet gjithnjë e më tepër. Ndryshimi është si nata me ditën, por ne sfidën nuk e kemi me të kaluarën, por me veten tonë.

Këtë vit ne kemi menduar që të bëjmë një rritje të rëndësishme të buxheteve të punonjësve të policisë dhe sidomos atyre që punojnë larg vendbanimit. Duke filluar nga janari punonjësit që janë larg banimit do të përfitojnë një shpërblim sipas distancës ku ata ushtrojnë detyrën. Përfitues sipas një llogarie që kemi bërë janë rreth 1200 punonjës. Shpërblimi për ta do të ketë impakt edhen buxhetin e tyre familjar, por edhe në produktivitetin e tyre në punë,” u shpreh Çuçi

Të Fundit