Mbi 4 mijë raste me COVID-19 në dy javë, vijon prirja shqetësuese e pandemisë në Shqipëri

Situata e pandemisë në Shqipëri vijon të paraqitet me prirje shqetësuese. Dy javët e fundit janë shënuar 60 viktima, ndërsa janë pikasur 4,113 raste të reja – më shumë se periudha mars-korrik e mbledhur bashkë.

Kjo prirje shtyri ekspertët e shëndetësisë t’i këshillojnë qeverisë që të mbyllë sërish universitetet, të cilat pritej të rihapnin auditorët javën e ardhshme.

Sipas të dhënave të ministrisë, në periudhën dy javore autoritetet publike dhe private kanë kryer mbi 19,000 teste me një mesatare prej rreth 1,360 testesh në ditë, nga ku pozitiviteti total ka qenë mbi 20 për qind.

Ekspertët e lidhin pozitivitetin e lartë me faktin se qytetarët, sidomos të rinjtë, i kanë neglizhuar masat anti-Covid, sidomos distancimin fizik dhe mbajtjen e maskës. Policia ndërkohë ka raportuar për gjobitje të qindra qytetarëve për mos-vendosje të maskës.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha të enjten se ekspertët po vlerësojnë opsionin për t’i këshilluar ministrisë mbylljen e lokaleve pas orës 22:00 në zonën më të frekuentuar të Tiranës. Kjo pasi “konstatohen vatër rreziku nga grumbullimet”.

Situata e pandemisë ka përplasur javët e fundit edhe politikën. Opozita ka akuzuar qeverinë se shërben “të dhëna të rreme” dhe se situata është më e rëndë.

Nga ana tjetër Presidenti Ilir Meta i kërkoi të mërkurën qeverisë të rishikonte masat, por kërkesa e tij hasi në replikën e Kryeministrit Edi Rama i cili këmbënguli se “vendimet i këshillojnë ekspertët”, se
“rritja e numrave është brenda parashikimeve” dhe se “po bëhet gjithçka është e mundur për të shmangur një mbyllje tjetër”.

Mirëpo çështja është bërë serioze sa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu të apelojë qytetarët për të respektuar masat në të kundërtën autoritetet shëndetësore do të detyrohen të përballen me një situatë ku do t’i duhet të bëjnë përzgjedhje pacientësh mes atyre që do kenë më shumë nevojë për terapi intensive.

 

Pikërisht rritja e numrit të të shtruarve në spitale ka qenë aspekti më shqetësues i dy javëve të fundit.

Një prirje që nis nga fundi i muajit korrik, u bë edhe më e rëndë dy javët e fundit ku nga 240 të shtruar, aktualisht numri ka vajtur në 291 persona.

Qeveria ka garantuar se, përveç Spitalit Infektiv dhe Sanatoriumit, ka gati dy spitalet e tjera të përshtatura për t’u shërbyer të sëmurëve me COVID-19, ndërsa ka përgatitur edhe spitalet rajonale që nëse situata do ta kërkojë, t’i trajtojnë të sëmurët pa i nisur drejt Tiranës.

Prej diagnostikimit të rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri, autoritetet kanë kryer mbi 122 mijë teste, prej së cilave janë pikasur 20,315 raste. Nga këto 11 mijë (54%) janë shëruar, mbi 8,800 (43%) janë ende me mbartje të virusit ndërsa 499 (2.5%) janë mbyllur me pasojë vdekjen.

 

Të Fundit