Lirohet nga burgu ish-kreu i bandës së Durrësit.

Lirohet nga burgu ish-kreu i bandës së Durrësit Endrit Dokle. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm, por teksa ka kryer 3/4 e dënimit, gjykata ka vendosur lirimin e tij.

Vendimi është dhënë nga Gjykata e Krujës. Dokle kërkoi rrëzimin e dënimit të përjetshëm në vitin 2017, por atëherë Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e tij.

Dokle ishte i vetmi nga anëtarët e bandës së Durrësit i dënuar përjetësisht. Ndërkohë Lulzim Berisha i konsideruar si “truri” i bandës, është liruar me kusht në vitin 2017 dhe aktualisht ndodhet në liri.

“Banda e Durrësit”

Endrit Dokle, anëtar i “Bandës së Durrësit”, së bashku me 16 persona të tjerë, pjesë e bandës famëkeqe, janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore.

Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun, funksiononte prej vitit 1994 në qytetin e Durrësit. Sipas Prokurorisë, banda është autore e një sërë vrasjeve të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim, si vrasja e Dritan Sallakut, më 17 tetor 1998, në qytetin e Durrësit, e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit. Ndërsa në vitin 1999, pasi kishin dështuar një vit më parë për vrasjen e Sotirit, i cili ishte plagosur, organizata ndërmori një aksion dhe e ekzekutoi atë më 22 gusht në zonën e Plazhit.

Në vitin 2000, banda akuzohet për vrasjen e Dritan Dishës, më 9 qershor, në fshatin Shenavlash të Durrësit. Ndër vrasje të tjera është edhe e Ervin Lames, më 14 janar 2002, në Lagjen nr. 3 të qytetit të Durrësit. Pas vrasjes së Saliut, organizata që u vendos nën drejtimin e Dokles akuzohet për vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005, në Tiranë. Kufoma e Gashit u hodh në fshatin Romanat të Durrësit.

Ndërsa më 30 tetor 2005, organizata e Endrit Dokles ekzekutoi në Tiranë, pranë stadiumit “Qemal Stafa”, Ilir Koldashin. Për qëllimet e tyre, drejtuesit e “Bandës së Durrësit” përdornin edhe vrasës me pagesë.

Të Fundit