Kriza e energjisë, Balluku: Do të ndërpresim ndriçimin në akset kombëtare

Ditën e sotme ministrja e Energjitikës Belinda Balluku njoftoi se në bashkëpunim me ARRSH do të nisin ndërprerjen e ndriçimin në akset kombëtare për të kursyer energji.

Ministrja tha se u kanë kërkuar bashkive që pas orës 00:00 të ndërpresin ndriçimin e panevojshëm në institucionet e qytetit.

Teksa iu bëri apel qytetarëve që të kursjen energjinë elektrike, Balluku theksoi se në dy javët në vijim nuk pritet të ketë reshje duke bërë që situata të rëndohet edhe më tej.

“Prej kohësh nuk kemi reshje shiu dhe kaskada ndodhet në një moment të vështirë. Duke nisur që sot importi do të jetë më i madh se prodhimi vendas. Në këtë moment në kaskadën e Drinit punojnë vetëm dy agregatë, ndërsa kërkesa është 17640 megavat orë. Një shifër shumë e lartë për sezonin krahasuar me vitet e shkuara. Duke pasur parasysh konsumin e lartë. Qeveria ka vendosur të ndërmarrë një sërë masash konsumi duke nisur nga insitucionet publike. I kemi kërkuar ARRSH që të nis menjëherë nga puna për të bërë ndërprerjet e ndriçimit në akset kombëtare. Do të përmend disa prej tyre: aksi Tiranë-Durrës, Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, Qafa e Kasharit-Rinas, Lin-Pogradec, Korçë-Ersekë. Do të ketë ndërprerje edhe në akset kombëtare në degëzim, siç janë Bypass i Fierit me hyrje dalje, Lezhë-Shëngjin dhe Shkodër-Hnai i Hotit. Nuk do të prekim disa pjesë të akseve që cënojnë sigurinë rrugore. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për këtë. I kemi kërkuar institucioneve lokale kudo që ndodhen ato për të kufizuar të gjithë energjinë që konsumohen për ndriçimin, ato që nuk janë të domosdoshme. Duke nisur nga ora 12 e mesnatës do tu kërkohen të gjithë bashkive që të fikin ndriçimin që kanë për ndërtesa që nuk paraqesin domosdoshmëri”, deklaroi ministrja.

Të Fundit