Kreu i operatorëve turistikë: Ndarja e stacioneve të plazhit më herët këtë vit, 40% duhet të jenë publike

Kreu i operatorëve turistikë të jugut, Vasil Bedinaj, deklaroi se dy ditë më parë pati një takim me ministren e Turizmit, lidhur me ndarjen e stacioneve të plazheve.

Ai bëri me dije se në muajin mars dhe prill do të merren në shqyrtim të gjitha kërkesat.

Bedinaj bëri me dije se procedura për ndarjen e stacioneve të plazhit, ka filluar më herët këtë vit.

Shpresojmë që të ketë një koordinim mes shoqatës së Turizmit me prefekturën dhe bashkinë, që të mbyllen këto procedura sa më shpejtë të jetë e mundur, në mënyrë që secili të ketë kohën e duhur për tu përgatitur për sezonin turistik. Disa gjëra që janë shumë të thjeshta na rezultojnë shumë të vështira. Këtë vit si qytet i Vlorës, po vuajmë tek mungesa e angazhimit apo koordinimit të strukturave lokale dhe qendrore. Ne si shoqatë turizmi nuk po i bëjmë dot të gjithë bashkë, për të diskutuar për problemet që kemi aktualisht. Kemi përplasje me institucionet në Vlorë. Moskordinimi sjell pasoja për organizimin turistik. Ne do të garantojmë që të kemi strukturat gati, por duhet të kemi bashkëpunim me bashkinë dhe institucionet e tjera”, u shpreh Bedinaj.

Ai tha se përplasja e institucioneve, e pengon shumë qytetin e Vlorës, për të cilën tha se është tashmë qytet turistik dhe se fundjava e kaluar ka qenë e kënaqshme, pasi qyteti është kthyer gjithëvjetor për turizmin.

Lidhur me rishikimin e planit urbanistik të zonës së Radhimës, nënizoi se turistët nuk vijnë vetëm për të ndenjur në dhomë, por se duan të shëtisin dhe se me transportin urban aktual, shëmtohet turizmi.

Bedinaj shtoi se prefekti i Vlorës ka garantuar sezon të mbarë, por se kompetencat e tij shkojnë deri diku dhe se ngërçi është në bashki.

Për projektin për Radhimën tha se është ende i paqartë dhe se ndonëse janë prishur rrugët, situata mbetet e padetajuar, pasi nuk dihet se ku do të kalojë rruga dhe trotuari.

Lidhur me planifikimin e vetëm një plazhi publik brenda qytetit të Sarandës dhe nëse e penalizon turizmin një gjë e tillë, Bedinaj deklaroi se bashkitë duhet të zbatojnë atë që është vendosur, 40% e plazheve të jenë publike dhe të tjerat të jepen në përdorim.

Bedinaj akuzoi bashkitë për paaftësi në menaxhimin e situatës së plazheve dhe pastrimit, dhe se i’u intereson që t’i japë tek privati, pasi do të kenë përfitim financiar.

Të Fundit