KPA shkarkon drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Drejtuesja e trupës gjykuese, Ina Rama tha se Imeraj nuk justifikon pasurinë. “Për pasurinë 2500 m2 tek ish fusha aviacion subjekti s’ka burime të ligjshme. Po ashtu edhe për tokën arë të ndodhur në Mullet s’ka burime. Për apartamentin  ndodhur në Tiranë prej 66 m2 dhe shtesë subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë. Për shlyerjen e kredive të marra në 2006 dhe në 2008 subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur kanë patur pamjaftueshmëri për shlyerjen e këtyre kredive”, tha ajo.

Sa i takon një prej shtyllave të vettingut, atë të figurës, sipas Ina Ramës rezulton se Imeraj ka mohuar faktet për ish- kunatin, duke treguar jo korrektësi. “Subjekti ka treguar sjellje jo profesionale duke kontaktuar përfaqësues të ONM që ndiqte procesin e saj. Vendosja e kontakteve me ONM për çdo arsye e jo e duhur dhe jo ligjore. Është sjellje e papërshtatshme”, tha Ina Rama, teksa njoftoi shkarkimin.

Një javë më parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua seanca për Imerajn, ku palët dhanë konkluzionet përfundimtare. Në përfundim të 6 orëve seancë, u vendos që vendimi përfundimtar nëse do të përjashtohet ose jo nga sistemi i drejtësisë do të jepej këtë të mërkurë (27 prill). Ndërkohë me vendimin e sotëm KPA shkarkoi Imerajn nga detyra.

Të Fundit