Kontrolle nga ajri me dronë dhe nga toka, zbulohen fidanë me kanabis në një magazinë – Stop
Aktualitet, Të Gjitha

Kontrolle nga ajri me dronë dhe nga toka, zbulohen fidanë me kanabis në një magazinë

Vijon kontrolli masiv i territorit në Lezhë, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur dronë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, ndërsa në pranga ra një 36-vjeçar.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Next”, pas hekurave përfundoi shtetasi Erbardh Gjeloshi, i cili akuzohet se kishte kultivuar kanabis në ambient të hapur. Nderkohe, u shpall ne kërkim Erjon Mirukaj dhe u procedua ne gjendje te lire kryeplaku i fshatit, Gjon Nikolla.

Evidentohet dhe shkatërrohet një magazinë e përshtatuar për përgatitjen e lëndëve narkotike.

 

Goditet dhe 1 rast i kultivimit të bimëve narkotike, në ambient të hapur.

 

Arrestohen në flagrancë 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këto veprimtari kriminale.

Vihet në pranga 1 shtetas, për moskallëzim krimi, si dhe procedohet në gjendje të lirë kryetari i fshatit, për shpërdorim detyre.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar dhe në informacionet e siguruara, kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit, duke përdorur dronë dhe agjentë në terren.

Si rezultat është finalizuar operacioni policor i koduar “Next”, gjatë të cilit, në fshatin Gocaj, njësia administrative Balldre, rrethi Lezhë, në një ambient të mbyllur, të përshtatur si magazinë, në pronësi të shtetasit E. Gj., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në kubikë, bimë të dyshuara narkotike në proces tharjeje, si dhe një sasi lënde narkotike në formë boçesh.

Gjithashtu, në vijim të operacionit, në një sipërfaqe toke buzë lumit Drin, në njësinë administrative Kallmet, janë gjetur bimë të dyshuara narkotike, që dyshohet se janë kultivuar nga shtetasi E. Gj.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi E. Gj., 36 vjeç, banues në Gocaj, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. M., 32 vjeç, banues në Balldre, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këto veprimtari kriminale.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë operacion, u arrestua në flagrancë shtetasi M. C., 24 vjeç, banues në Balldre, për veprën penale “Moskallëzim krimi”, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi Gj. N., 55 vjeç, banues në Gocaj, me detyrë kryetar i fshatit Gocaj, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *