Kalvari i qytetares për pasaportën e humbur dhe zgjidhja nga Stop 12 qershor 2018

Drita Duro u ankua në emisionin “Stop” për kalvarin që ka kaluar për pasaportën që i humbi një vit e gjysmë më parë. Ajo e denoncoi humbjen e saj në institucionet përkatëse, por pas pak kohësh ajo e gjeti pasaportën në shtëpinë e saj.

“Para një viti e gjysmë më humbi pasaporta. Në bazë të rregullit, shkova e bëra denoncim në rajonin e njësisë numër 4. Kur shkoj në shtëpi, e gjej pasaportën në sendet e mia. Gabimi im më i madh është që nuk bëra tërheqje denoncimi”, u shpreh denoncuesja.

Zonja Drita u nis për në Greqi, por u bllokua në doganën e Kakavijës, pasi në sistem pasaporta rezultonte e bllokuar. Në datën 30.12.2017, ia morën pasaportën në kufi dhe pasi bëri një deklaratë për bllokimin e pasaportës, i thanë që pas 15 ditësh do ta merrte në rajonin numër 4.

Pas shumë sorrollatjesh nga njëri institucion në tjetrin, kaluan muajt dhe Drita Duro ende nuk e ka marrë pasaportën.

“Unë as këtu s’bëj dot veprime se jam pa dokumente. Edhe kartën e identitetit ma kanë vjedhur në autobus. Do nxjerr një certifikatë ta kem në shtëpi se jam dhe me “bypass”, mund të vdes dhe nga vapa. Të paktën të vënë një shpallje: ‘Ka vdekur Drita’, me një certifikatë”, tha e shqetësuar denoncuesja.

Rrugën e Drita Duros e ndoqi dhe gazetarja e emisionit “Stop”, e cila shkoi në komisariatin numër 4 në Policinë e Tiranës, në komisariatin numër 3, ku ndodhej arshiva e pasaportave të bllokuara. Ndryshe nga rezultati i rrugëtimit të gjatë të denoncueses, gazetarja arriti ta marrë në dorë pasaportën e saj.

Punonjësja e komisariatit 3 – Po bëhet procedura për t’u kthyer aktive dhe menjëherë do t’ua japim.. Shumë pak! Në sistem është ai. Bashkë me një fletë, që do e plotësojë zonja, me formularë. Merr pasaportën e saj dhe nuk ka asnjë lloj problemi.

Pas 6 muajsh, falë interesimit të emisionit “Stop”, Drita Duro mundi ta rimarrë mjetin e saj të identifikimit.

Të Fundit